• e enjte, 26 dhjetor 2024

Xhaferi në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ​

Xhaferi në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ​

Shkup, 26 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë Teknike, Talat Xhaferi, do të marrë pjesë sot në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili do të mbahet në selinë e Bankës në Londër të Britanisë së Madhe.

Siç njofton shërbimi për shtyp i Qeverisë, Xhaferi do të shoqërohet nga zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.

 Gjatë Samitit, kryeministri Xhaferi do të marrë pjesë në ngjarjen qendrore dhe shoqëruese, si dhe do të ketë një takim bilateral me kryetaren e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odil Reno-Baso.

Nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) theksojnë se ngjarja, e cila mbahet çdo dy vjet, do të mbledhë së bashku gjashtë kryeministrat nga Ballkani Perëndimor, si dhe investitorët ndërkombëtarë, me qëllim që të evidentohen mundësitë e mundshme për investime dhe promovohen bizneset në rajon dhe projektet rajonale ndërkufitare.

"Pika kryesore tradicionale e samitit është Sesioni Interaktiv i Kryeministrave, ku liderët rajonalë dhe kryetari i BERZH-it do të ndajnë para audiencës vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin. Në sesion do të ketë pyetje dhe përgjigje të zgjeruara me investitorët ndërkombëtarë", thuhet në kumtesën e BERZH-it.

Duke e marrë parasysh se promovimi i një tranzicioni të gjelbër është një prioritet kyç i Bankës në rajon, do të mbahet një panel i posaçëm për energjinë e gjelbër në Ballkanin Perëndimor, duke bashkuar investitorët dhe politikëbërësit kryesorë në nivel ministror për të diskutuar mbi maksimizimin e mobilizimit të kapitalit privat për të përshpejtuar dekarbonizimin e rajonit.

Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji. Samiti inaugurues për Ballkanin Perëndimor u mbajt në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt të vitit  2014, ku u mblodhën për herë të parë të gjithë krerët e qeverive në rajon.

Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in që përfshin Shqipërinë, Bosnja e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. BERZH, theksohet, është një nga investitorët më të mëdhenj institucional në rajon, në të cilin deri më tani ka investuar mbi 18 miliardë euro. sa/

foto: Printskrin/BERZH

QËNDRONI TË LIDHUR