• e premte, 27 dhjetor 2024

Xhaferi: Dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në një shoqëri demokratike

Xhaferi: Dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në një shoqëri demokratike

Shkup, 19 qershor 2023 (MIA)- Dialogu mes faktorëve politikë në një shoqëri demokratike ka vend të veçantë, si mënyrë e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe harmonizimin e opinioneve të ndryshme. Parlamenti është megjithatë arenë në të cilën kryqëzohen këndvështrimet dhe interesat e ndryshme politike dhe të gjitha duhet të dëgjohen, porosi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fjalimin në Konferencën për demokracinë në Evropë që mbahet në Stokholm të Suedisë.

"Në fakt, kuptimi i demokracisë është pikërisht në të drejtën e çdo parlamentari të marrë pjesë në debatin dhe dialogun parlamentar. Prandaj përforcimi i kulturës politike është kryesor në zhvillimin e demokracisë", ka thënë Xhaferi.

Ai tha se në tridhjetë vitet e kaluara, vendi ka kaluar nëpër shumë vështirësi të zhvillimit të vet demokratik. Megjithatë, edhe krahas kësaj, qe ku jemi sot vend i cili i fillon negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotfuqishëm, vend anëtar i NATO-s dhe partner besnik i bashkësisë ndërkombëtare. Kjo gjithsesi është përfitim i madh për ne dhe për zhvillimin e demokracisë sonë.

"Roli i parlamentit dhe parlamentarëve në procesin e përforcimit të demokracisë dhe sundimit të drejtës është i rëndësishëm dhe i madh dhe ne duhet të punojmë shumë në përforcimin e demokracisë thelbësore të cilën do e ndjejnë qytetarët edhe konkretisht, e jo vetëm formalisht. Demokracia  formale paraqet vetëm një kornizë formale-institucionale për demokracinë, një përmbledhje e rregullave dhe procedurave formale, ndërsa demokracia thelbësore, kah e cila duhet të synojmë, paraqet gjendjen në shoqëri dhe tendencën kah arritja e barazisë. Ky dallim mes demokracisë formale dhe thelbësore është shumë më tepër i shprehur në vendet e Evropës Lindore. A në kontekstin e demokracisë thelbësore, ndër tjerat, me rëndësi kryesore është edhe karakteri i Kushtetutës perceptimi i të drejtave njerëzore, roli i partive politike, roli i mediave, shoqëria civile etj", ka thënë Xhaferi.

Ai tha se me Kushtetutën e vitit 1991, vendi proklamohej si shtet liberal-demokrat bazuar mbi parimet e demokracisë dhe sundimit të drejtës. Edhe krahas ndryshimeve demokratike formale që ndodhën te ne në vitin 1991, në drejtim të pavarësimit nga ish Federata Jugosllave, ai demokratizim thelbësor megjithatë është proces për të cilin nevojitet mjaft kohë.   

“Te ne nevojitej dhe akoma nevojitet kohë për etablimin e asaj demokracie thelbësore të cilën unë e kuptoj si mënyrë në të cilën elitat politike marrin pjesë në garën politike me rregulla të barabarta dhe fer, ku në mënyrë të barabartë marrin pjesë në procesin e marrjes së vendimeve politike ose, siç do të kishte thënë Abraham Linkolni, citoj, “Demokracia është sundim i popullit, prej popullit dhe për popullin.”                                                          

Xhaferi përkujtoi se në vitin 2001 u nxorën ndryshimet e Kushtetutës me të cilat të drejtat e barabarta kolektive të bashkësive të ndryshme etnike nënvizohen si një nga parimet themelore politike të shtetit. Në vitin 2019, pas referendumit konsultativ për Marrëveshjen e Prespës me Republikën e Greqisë në kontekst të emrit të shtetit, me ndryshimet kushtetuese u ndryshua emri i shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.  

“Tani, përsëri para nesh qëndron një ‘sfidë’, gjegjësisht, nevoja për ndryshime të reja kushtetuese të parashikuara në pajtim me kornizën e negocimit të Bashkimit Evropian. Në fakt, ky është i ashtuquajturi ‘Propozim francez’ me të cilin pranuam kompromis  dhe u pajtuam që në Kushtetutë të fusim edhe bashkësinë bullgare e cila jeton në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shpresoj se ky obligim do të përfundohet që më në fund edhe konkretisht ti fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Proceset e kontrollit dhe demokratizimit të elitave politike nëpër debatet në arenën politike në dhomën ligjvënëse; me mbështetjen dhe miratimin e legjislativit përkatës për luftë kudër korrupsionit, për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, për kultivimin e marrëdhënieve dhe dialogut të mirë ndëretnik, për zhvillimin e diplomacisë parlamentare.

“E gjithë kjo është në duart e parlamentarëve dhe ky kontribut reflektohet mbi zhvillimin e demokracisë. Edhe në procesin e hapjes dhe demokratizimit ndaj sektorit civil, parlamentet në demokracitë parlamentare liberale kanë rol të rëndësishëm dhe qendror”, ka thënë Xhaferi.

Ai tha se në drejtim të përforcimit të efektivitetit të parlamentarëve dhe demokratizimit të parlamentit, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nxorëm “Kodin etik për deputetët”, a pres që me anë të dialogut politik dhe konsensus të ndërsjellë ti nxjerrim edhe ndryshimet në Rregulloren për punën e Kuvendit në kuadër të Procesit të dialogut “Zhan Mone” me rregullimin e paqartësive të vërejtura në të njëjtin, a të cilat më tej prodhojnë vështirësi në funksionimin e Kuvendit dhe në zhvillimin e debatit demokratik. Në drejtim të transparencës së proceseve demokratike dhe hapjes ndaj qytetarëve, në faqen e internetit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është aktivizuar vegël funksionale ose ”e-dritare”, ku qytetarët kanë qasje në punën e dhomës ligjvënëse dhe për paraqitje për vizitë të organizuar të njëjtit.

“Si presidencë e dhomës ligjvënëse, angazhohemi për transparencë para gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë dhe hapje për nisma të ndryshme me kërkesë të sektorit civil. E njëjta vlen për të gjithë qytetarët, edhe për grupet e margjinalizuara të qytetarëve. Që të dëgjohet zëri dhe të përforcohet pjesëmarrja politike e grupeve të margjinalizuara në Kuvend, në vitin 2018 për herë të parë është formuar grupi ndër-partiak parlamentar për të drejtat e pjesëtarëve të bashkësisë LGBTI. Me këtë kontribuohet në afrimin e qytetarëve te përfaqësuesit e tyre në dhomën ligjvënëse”, ka thënë Xhaferi.

Do të përfundoj me dëshirë dhe shpresë të sinqertë se për ne, vendet e Evropës Lindore, nuk do të vlejë rregulli se “në demokraci, 100 vitet e para janë të vështira”, por se shumë më shpejtë do u bashkëngjitemi demokracive të zhvilluara me traditë të gjatë, ka nënvizuar kryeparlamentari Xhaferi. 

Foto: Kuvend

 

QËNDRONI TË LIDHUR