• e premte, 08 nëntor 2024

Xhaferi dhe Zelenski në Tiranë nënshkruan deklaratë të përbashkët për integrimet euroatlantike të Ukrainës

Xhaferi dhe Zelenski në Tiranë nënshkruan deklaratë të përbashkët për integrimet euroatlantike të Ukrainës

Shkup, 28 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, u takua me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski. Në takim, njoftuan nga shërbimi për informim i Qeverisë, ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe zëvendësministri i Financave, Filip Nikoloski.

Xhaferi e theksoi mbështetjen e Qeverisë dhe vendosmërinë dhe përcaktimin e fuqishëm për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Me ç’rast, theksoi se në bazë bilaterale, por edhe në kuadër të NATO-s, harmonizimi i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si edhe me bashkëngjitjen ndaj Deklaratës së vendeve të G7-tës për garancitë e sigurisë për Ukrainën, Maqedonia e Veriut që nga fillimi i agresionit ushtarak rus, manifeston vazhdimësi në pozicionin e saj dhe do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Kryeministri Xhaferi theksoi se ndjen një përgjegjësi dhe obligim të veçantë, personale, pas pranimit të Urdhrit të Princit "Jarosllav i Urti" nga kryetari i Radës Supreme së Ukrainës, Ruslan Stefançuk në vitin 2022, të vazhdojë të japë në mënyrë aktive një kontribut personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Presidenti Zelenski shprehu mirënjohje të thellë për Qeverinë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e fuqishme dhe të gjithanshme, në radhë të parë politike dhe ushtarake të vendit, si dhe për pritjen e refugjatëve ukrainas. Ai potencoi se Ukraina posaçërisht e vlerëson atë që Maqedonia e Veriut iu bashkua Deklaratës së Buçës për të kërkuar përgjegjësi për krimet më të rënda të luftës të kryera në territorin e Ukrainës.

Xhaferi dhe Zelenski pas takimit nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës për integrimin euroatlantik të Ukrainës.

"Në Deklaratë dënohen së bashku krimet e forcave të armatosura të Federatës Ruse kundër popullsisë civile dhe infrastrukturës civile të Ukrainës, duke përfshirë objektet energjetike, shkollat, spitalet dhe ndërtesat e banimit, të cilat janë të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Theksohet nevoja për tërheqje urgjente dhe të plotë të të gjitha trupave dhe formacioneve të armatosura të Federatës Ruse nga territori sovran i Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991. Dhe theksohet rëndësia e hetimit të krimeve të luftës në territorin e Ukrainës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", sqarohet në kumtesën e Qeverisë.

Në lidhje me perspektivat euroatlantike, në Deklaratë theksohet kontributi i rëndësishëm i Ukrainës në sigurinë e zonës euroatlantike, veçanërisht përpjekjet e Ukrainës për të penguar agresionin ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse. Në këtë drejtim, posaçërisht është theksuar qëndrimi i përbashkët për nevojën e forcimit plotësues të kapacitetit të konsoliduar të komunitetit euroatlantik, me qëllim të kundërshtimit efikas ndaj sfidave ekzistuese dhe sfidave potenciale globale dhe kërcënimeve të sigurisë.

"Janë potencuar edhe përpjekjet e përbashkëta për të siguruar përparim të mëtejshëm drejt zbatimit të standardeve të BE-së dhe NATO-s, me synimin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veri-Atlantike. Gjithashtu është potencuar edhe mbështetja e ndërsjellë gjatë procesit të negociatave për anëtarësim të Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian", njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë. fc/

Foto dhe video: Qeveria e RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR