• e enjte, 26 dhjetor 2024

Xhaferi – Strik: Mbështetje e fortë për vazhdimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut

Xhaferi – Strik: Mbështetje e fortë për vazhdimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 3 prill 2024 (MIA) -  Progresi i mëtutjeshëm i Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, i cili u vlerësua si jashtëzakonisht i rëndësishëm për perspektivat e qytetarëve në shtet, por edhe në kontekstin rajonal dhe veçanërisht gjeopolitik, kanë qenë në fokus të takimit të sotëm të kryeministrit  Talat Xhaferi me deputeten evropiane Tineke Strik. 

Kjo, siç theksohet në kumtesën e sotme nga pres shërbimi qeveritar,  është takimi i dytë i Xhaferit në cilësinë e Kryeministrit me eurodeputeten Strik, të cilën e ka takuar edhe në kuadër të vizitës së parë në institucionet evropiane më 14 shkurt 2024 në Bruksel. Euro deputetja holandeze Strik është pjesë e grupit të të Gjelbërve/Aleancës së Lirë Evropiane dhe anëtare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Komitetit të Përzier Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut.

 

Në takim është theksuar mbështetja e fuqishme për vazhdimin e rrugës evropiane pas përfundimit të zgjedhjeve në vend.

Kryeministri Xhaferi vlerësoi se Maqedonia e Veriut është në një moment të rëndësishëm të zhvillimit demokratik dhe se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të përcaktojnë drejtimin e vendit, që me të drejtë ndiqet me interes në rajon dhe në Evropë.  

Me ç’rast, potencoi se Qeveria i ndërmerr të gjitha hapat që në përputhje me kompetencat ligjore, të sigurojë se të gjitha institucionet kompetente do të mundësojnë zbatimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, me legjitimitet të plotë. 

Eurodeputetja Strik  e përshëndeti përparimin e arritur të Maqedonisë së Veriut dhe procesin e skriningut të përfunduar në mënyrë të shkëlqyer, të ç’rast e theksoi urgjencën dhe rëndësinë e vazhdimit të rrugës së filluar në aspektin gjeopolitik, si edhe shfrytëzimin e momentit pozitiv dhe mbështetjes ekzistuese të gjerë për zgjerimin e BE-së.  

"Njëherazi, bëri thirrje që menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe formimit të Kuvendit dhe Qeverisë,  Maqedonia e Veriut të punojë në mënyrë aktive dhe të përshpejtuar në zbatimin e ndryshimeve kushtetuese dhe përmbushjen e agjendës reformuese, dhe bashkë me fqinjët, të rrumbullakojë rrugën e anëtarësimit në Union", theksohet në kumtesë. 

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e Planit të Rritjes të Ballkanit Perëndimor dhe miratimin e tij në Parlamentin Evropian, si dhe për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të përgjithshëm të shteti tonë me Parlamentin Evropian, duke përfshirë edhe përmes prezencës së përfaqësuesve të shërbimeve tona parlamentare në Bruksel. 

 Foto: Qeveria e RMV-së

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR