• e enjte, 26 dhjetor 2024

Xhaferi – Piç: Maqedonia e Veriut dhe Mbretëria e Bashkuar, partnerë dhe aleatë të përkushtuar ndaj sigurisë përmes unitetit

Xhaferi – Piç: Maqedonia e Veriut dhe Mbretëria e Bashkuar, partnerë dhe aleatë të përkushtuar ndaj sigurisë përmes unitetit

Shkup, 3 prill 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka zhvilluar sot një takim me Lordin Piç, të dërguarin posaçëm të kryeministrit të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për Ballkanin Perëndimor.

Xhaferi dhe Piç, siç informoi shërbimi për informim i Qeverisë, përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve dhe shprehën pritshmërinë që dinamika e vendosur aktive e bashkëpunimit, takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë do të vazhdojë me intensitet të pazvogëluar.
 

Xhaferi u shpreh i kënaqur që vizita e Lordit Piç po bëhet në kohën kur Maqedonia e Veriut shënon 4 vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe në vitin kur Aleanca shënon 75 vjetorin e ekzistencës. 

Duke falënderuar Lordin Piç për mbështetjen e tij të mëparshme në rrugën tonë euroatlantike dhe duke kujtuar praninë e tij personale në momentin historik të ngritjes së flamurit të Republikës së Maqedonisë së Veriut para selisë së NATO-s në Bruksel më 27 mars të vitit 2020, Kryeministri theksoi vendosmërinë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të jetë anëtare aktive dhe e besueshme e Aleancës, e përkushtuar për sigurinë përmes unitetit, si dhe marrëdhëniet tona të forta me Mbretërinë e Bashkuar.

"Duke drejtuar urime për përvjetorin e anëtarësimit në NATO, Lordi Piç e theksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar të vazhdojë në mënyrë aktive të bashkëpunojë me Maqedoninë e Veriut si aleat në NATO dhe të vazhdojë të mbështesë modernizimin e mbrojtjes", thuhet në kumtesë.

Në takim, siç bëhet e ditur, u biseduan çështjet aktuale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, sfidat, mundësitë dhe rëndësia e ecjes përpara të rajonit, siguria në Evropë në dritën e luftës në Ukrainë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve si partnerë dhe aleatë në këtë plan. fc/

Fotografia: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR