• e enjte, 26 dhjetor 2024

Xhaferi: Është koha që të gjithë të jemi të përgjegjshëm dhe me vizion të qartë për të ardhmen

Xhaferi: Është koha që të gjithë të jemi të përgjegjshëm dhe me vizion të qartë për të ardhmen

Shkup, 7 shtator 2023 (MIA) - Duke uruar 32 vjetorin e pavarësisë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi theksoi se është koha që të gjithë të jemi të përgjegjshëm, me një pamje të qartë dhe me vizion të qartë për të ardhmen, e cila nuk guxon të ketë drejtim tjetër përveç sundimit të ligjit, respektimin e të drejtave dhe obligimeve ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila është shtëpi e përbashkët e të gjithëve.

"Me solemnitetin e sotëm rrumbullakojmë plot 32 vite nga vendimi historik i referendumit në të cilin qytetarët e shprehën lirshëm vullnetin e vet ndërsa kolegët tanë deputetë e vunë në letër dhe në jetë atë vullnet për shtet të pavarur, sovran, me subjektivitet ndërkombëtar të pranuar dhe anëtar i barabartë i bashkësisë së popujve. U determinuan edhe prioritetet strategjike kah të cilat do e drejtojmë dhe do e zhvillojmë shtetin i cili ishte i ri, me demokraci të brishtë dhe për të cilin duhej të vendosen themelet e rritjes, zhvillimit dhe mbijetesës. Mbi të gjitha, për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e vendit, me respekt të veçantë ndaj të gjithë që e flijuan më të shtrenjtën, që të mund të vihen themelet e shtëpisë sonë të përbashkët", tha Xhaferi.

Qëllimet strategjike ishin dhe akoma janë prioritetet rreth të cilave bashkohemi si shtet, si politikanë dhe si qytetarë, gjithmonë me besim se anëtarësimi në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike, NATO, dhe në Bashkimin Evropian të shteteve është garancia kryesore për sigurimin e vazhdimësisë.

"Për të përmbushur këto dy qëllime, u ndeshëm me sfida të cilat gjithmonë na vinin para udhëkryqeve të ndërlikuara që e testonin mençurinë tonë, forcën tonë, bashkimin dhe vizionin tonë. Të mësuar nga e kaluara, e nxorëm dhe e mësuam leksionin më të rëndësishëm, dhe ky është se vetëm bashkë, unikë dhe të njëzëshëm kemi forcën për të arritur të tërë para qëllimit të përbashkët dhe të përgatitur për tejkalimin e suksesshëm edhe të pengesës së radhës. Kështu e tejkaluam kontestin tridhjetë vjetor i cili na kishte izoluar nga bota dhe nga pjesëmarrja jonë e barabartë në organizatat dhe proceset ndërkombëtare. Vazhduam tutje, edhe krahas dilemave, pyetjeve, hezitimeve të shumta dhe zvogëlimit të besimit te qytetarët. E mbajtëm konferencën e parë ndër-qeveritare dhe jemi në pritje të të dytës, e cila do të ishte edhe fillim i negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian", tha Xhaferi.

Retorika e re shkon në drejtim të integrimit para anëtarësimit, që në njërën anë mundëson të ndjehen përfitimet nga anëtarësimi në Union shumë më herët ndërsa vetë Unionit i mundëson operativitet efikas me reduktimin e rrezikut i cili vjen me anëtaret e reja dhe mundësi për të vlerësuar përkushtimin e vendeve kandidate për anëtarësim.

"Përkushtimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut kurrë nuk ka munguar dhe të gjithë pajtohemi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë, as zëvendësim. Pa marrë parasysh aktivitetet dhe proceset ndërkombëtare ku marrim pjesë si vend", tha ai.

Ky është një rast solemn dhe unë nuk dua të ngarkoj këtë tubim me të gjitha ngjarjet dhe gjendjet që sollën deri në dobësimin e sistemeve ekonomike, energjetike, shëndetësore dhe në përgjithësi të mirëqenies dhe përparimit të botës dhe shteteve.

"Konkretisht, lufta në Ukrainë tani më një periudhë më të gjatë e çrregullon sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit që në mënyrë plotësuese shkakton vështirësi në jetët e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit. Si vend, në mënyrë dështuese ndikojnë edhe lajmet e këqija vendore të cilat e minojnë besimin në një të nesërme më të mirë. Lajmi i fundit me Klinikën e Onkologjisë është vërtetim për shkallën e devijimit dhe humbjes së humanizmit ndër ne. Nuk guxojmë të jemi të verbër dhe të shurdhër, nuk guxojmë të lëmë kjo të kalojë pa dënim! Besoj se pushteti gjyqësor do e konfirmojë besimin që i është deleguar nga gjithë ne", tha Xhaferi.

Është koha, sipas tij, të gëzohemi për lajme të bukura dhe pozitive. Për të qenë kjo kështu, është koha e fundit që të jemi të gjithë të përgjegjshëm, me shikim të kthjellët dhe vizion të qartë për ardhmërinë e cila nuk guxon të ketë kahe tjetër përveç asaj të sundimit të drejtës, respektimit të drejtave dhe obligimeve të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila është shtëpi e përbashkët e të gjithëve. 

"Ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe përparojmë! Për ne, për qytetarët tanë dhe për të gjitha gjeneratat e ardhshme të cilat ardhmërinë e vet e shohin aty ku edhe natyrisht takojnë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, anëtare e plotfuqishme në NATO dhe në Bashkimin Evropian", tha kryetari i Kuvendit në ngjarjen me rastin e Ditës së Pavarësisë 8 Shtatori.

Në  këtë ngjarje morën pjesë anëtarë të Qeverisë, deputetë, personalitete nga jeta publike dhe shoqërore, si dhe Nikola Stojanoski, deputeti i legjislaturës së parë dhe kryesues i seancës së parë konstituive e Kuvendit në vitin 1991, si deputeti më i moshuar dhe më i respektuar i legjislaturës së atëhershme. Nga deputetët e opozitës ishte e pranishme vetëm Gordana Siljanovska Davkova. fc/

Fotografitë: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR