• e premte, 27 dhjetor 2024

Xhaferi: Është gënjeshtër se kam marrë ndonjë material nga ish-kryeministri, këto janë të pavërteta për qëllime ditore-politike

Xhaferi: Është gënjeshtër se kam marrë ndonjë material nga ish-kryeministri, këto janë të pavërteta për qëllime ditore-politike

Shkup, 26 shtator 2023 (MIA) - Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot në Kuvend deklaroi se nuk ka kurrfarë të vërtete në pretendimin se ka marrë ndonjë letër apo material nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, në të cilat pretendohet se ka pasur përmbajtje për ndryshime në Kodin Penal. 

"Kësaj pyetje tashmë i jam përgjigjur gjatë fundjavës. Nuk ka asnjë të vërtetë  në atë se kryetari i Kuvendit nga ish-kryeministri ka marrë ndonjë letër apo material. Është e pavërtetë që shërben vetëm për qëllime ditore-politike", tha Xhaferi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, pas takimit të sotëm me përfaqësues të mediave. 

Ai theksoi se Kuvendi merr materiale nga  propozues të autorizuar, në formë të përshkruar me Rregulloren.

"Nuk do të doja të përdorja fjalë të papërshtatshme, që i meriton një insinuatë e tillë, por ua lë në ndërgjegje atyre që spekuluan me opinionin", tha Xhaferi. 

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski dje në një intervistë për "360 gradë" në TVM 1 ka ndarë materiale për të cilat pohonte se janë pjesë e një komunikimi të fshehtë mes ish-kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, liderit të BDI-së Ali Ahmeti, kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferit dhe një personi tjetër. 

 Në këtë rast, Nikolloski tregoi USB, për të cilën pohon se ajo që  këto ditë e ka përmendur  lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërsa ndau tre faqe të shtypura në format A4 për të cilat thotë se janë përmbajtja e USB-së.

Sipas Nikolloskit, këto janë dëshmi se tashmë ish-kryetari i partisë Nikolla Gruevski është pjesë e një skenari për dobësimin e VMRO-DPMNE-së. 

"Kjo është USB-ja e famshme në të cilën janë ndryshimet e KP-së. Këto ndryshime i janë dorëzuar Ali Ahmetit, Talat Xhaferit dhe një adresë e tretë nga ana e ish-kryetarit të VMRO-DPMNE-së", tha Nikolloski. 

QËNDRONI TË LIDHUR