• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vukan Njagulj, projektuesi i urës “Belasica” për MIA: Isha optimist, por dëmi është i madh

Vukan Njagulj, projektuesi i urës “Belasica” për MIA: Isha optimist, por dëmi është i madh

Shkup, 26 maj 2023 (MIA) – Edhe pse ekspertiza ime ishte vizuale, e dija se shkalla e dëmtimit ishte shumë më e madhe se sa kisha supozuar në bazë të fotografive në dispozicion. Gjurmët dhe dëmtimet nga temperatura e lartë nga zjarri nuk dukeshin në foto aq sa janë realisht, thotë në një deklaratë ekskluzive për MIA-n projektuesi i urës “Belasica” Vukan Njagul.

Ai në organizim të Institutit të Inxhinierisë të Tërmeteve dhe Ndryshimeve Klimatike, dy ditët e fundit ka qëndruar në Shkup për të inspektuar gjendjen e urës.

Në bisedë për MIA-n, inxhinieri Njagul thotë se dëmet duhet të trajtohen shumë seriozisht dhe se duhen hetime dhe kalkulime të hollësishme.

Kur isha në urë pata përshtypjen se ajo që pashë kërkonte një qasje shumë më serioze nga sa mendoja. Ky është mendimi im, përshtypja ime. Ura, sipas meje, nuk mund të trajtohet sikur dëmi të ishte i vogël dhe i parëndësishëm, thjesht sepse nuk dihet se çfarë është. Duhet të bëhet një ekzaminim shumë i hollësishëm. Jo vetëm vizualisht, por për të hapur strukturën, për ta  ekzaminuar atë, marrjen e mostrave dhe testimin e saj në laborator. Dëgjova intervistën e profesor Markovskit, i cili tha se në Maqedoni nuk keni pajisje për gjithçka që duhet të hetohet. Megjithatë, duhet bërë dhe vetëm atëherë mund të bëhet një vlerësim për gjendjen aktuale të urës”, thekson Njagul.

Ai thekson se nuk bëhet fjalë për dëmtime të zakonshme si korrozioni apo çarje, por për një lloj dëmtimi krejtësisht të ndryshëm dhe për këtë arsye kërkon supozime të sakta për cilësinë e materialeve të urës.

“Çdo vlerësim tani, pa ato të dhëna, është thjesht i pamundur. Dhe jo vetëm kaq, por duhen bërë llogaritë mbi bazën e të cilave do të shihet gjendja e ndërtimit. Natyrisht, ato llogaritje duhet të futen me supozime sa më të sakta për cilësinë e materialeve që duhet të rezultojnë nga testet që duhen bërë më parë. Vetëm atëherë mund të thuhet - tani duhet të vazhdosh me këtë apo atë”, thotë inxhinieri.

Ai vlerëson se ekziston mundësia e dëmtimit të kabllove zgjatuese të kollonave kryesore.

“Nuk janë të dëmtuar si çelik, por në raport me kapacitetin e tyre të ngarkesës. Nëse çeliku mbinxehet, humbet karakteristikat që ka, duke përfshirë forcën në të, gjë që ul deri diku besueshmërinë e urës dhe ndryshon tendosjen në konstruksion”, shpjegon Njaguli.

Për problemin e qarkullimit që u ngrit pas mbylljes së urës, ai tregon se ka zgjidhje, por shton se është e vështirë për t'u zbatuar.

“Mendimi im personal është se mund të lejohet një lloj qarkullimi i kontrolluar i këmbësorëve. Por bazuar në përvojën time në raste të ngjashme, unë besoj se lejimi i një trafiku të reduktuar të pasagjerëve mbart me vete njëfarë rreziku. Së fundi, më lejoni të përfundoj.

Sipas mendimit tim, të gjitha kërkimet dhe llogaritjet e nevojshme duhet të bëhen përpara se të merret ndonjë vendim. Ura mund të ketë edhe besueshmëri të mjaftueshme sipas disa kritereve, por kjo mund të jetë temë për diskutim vetëm pasi të kryhen testet, thotë inxhinier Njagulj.


Simona Sërbinoska
Foto: Darko Popov

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR