• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Vuçiq për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe deklaratën e zëdhënësit të BE-së: U bëj thirrje serbëve që t'i zhgënjejnë edhe më shumë

Vuçiq për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe deklaratën e zëdhënësit të BE-së: U bëj thirrje serbëve që t'i zhgënjejnë edhe më shumë

Beograd, 22 prill 2023 (MIA) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot, një ditë para zgjedhjeve në komunat e veriut të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga partitë serbe, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të bashkuar dhe të tregojnë se "nuk mund të na shkelin" dhe se vullneti i popullit serb të Kosovës ishte njëzëri që të mos marrë pjesë në ato zgjedhje, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Vuçiq ka komentuar edhe deklaratën e zëdhënësit të KE-së, Petar Stano, i cili ka thënë se është i zhgënjyer nga vendimi i serbëve për të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe u ka thënë serbëve të Kosovës që t'i "zhgënjejnë edhe më shumë".

"Isha i habitur dhe i befasuar kur dëgjova deklaratën e Stanos se ishte i zhgënjyer nga mosdalja e serbëve. Deri më tani kemi marrë pjesë në 4 apo 5 cikle të ndryshme zgjedhore të pushtetit në Prishtinë dhe nuk ka qenë e nevojshme në asnjë prej tyre para se të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, ose mundësisht vetëm në një, të dihet se kush janë komunat serbe.  Dhjetë vjet më vonë, për të cilën nuk është faji vetëm Prishtina, sepse ata nga BE-ja janë garantues, Serbinë po e ngacmojnë, e qëllojnë dhe ajo thotë - nuk do të shkojmë në zgjedhje derisa të arrini atë që kemi rënë dakord", tha Vuçiq dhe shtoi "A duhen mbajtur zgjedhjet në stacione dhe kontejnerë policie, me 550 persona të armatosur deri në dhëmbë për të siguruar 1 deri në 2 për qind që do të dalin? U bëj thirrje serbëve që t'i zhgënjejnë edhe më shumë, të shohin sa të bashkuar jemi dhe se nuk mund të na shkelin".

Vuçiq pyeti gjithashtu nëse zëdhënësi i BE-së ka të paktën pak turp. Ai tha se vendimi i serbëve të Kosovës ka qenë që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe se këtë nuk e ka imponuar Beogradi dhe ka shtuar se "nëse do të më kishin pyetur deri ditën e fundit, do ta kisha peshuar atë që ishte më pak e keqe për ne".

"Jemi në një situatë të vështirë, por vullneti i popullit tonë ishte i tillë që ata pothuajse unanimisht vendosën të mos marrin pjesë. Kështu vendosën njerëzit tanë nga veriu. Nesër me qetësi dhe përgjegjësi dhe me përbuzje do t'i shikojnë ata që do të tërhiqen zvarrë nga Mitrovica e Jugut për të votuar dhe për të zgjedhur autoritetet në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq", tha ai.

I pyetur se çfarë do të ndodhë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë në komunat e veriut të Kosovës, Vuçiq tha "asgjë, një okupim i plotë në të cilin njerëzit janë të gatshëm dhe të mësuar". sa/

Foto. Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR