Vrasja e një shtetasi turk dhe lëndimi i rëndë i fëmijës janë dy incidentet e Natës së Vitit të Ri që kaloi kryesisht qetë
- Nata e Vitit të Ri kaloi kryesisht në mënyrë të qetë, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Në një deklaratë për mediat, ai informoi se kanë ndodhur dy incidente të rënda - vrasja e një shtetasi turk me thikë në Çarshinë e Shkupit dhe rasti i një fëmije dyvjeçar të lënduar rëndë, në mënyrë të panjohur, i cili është në gjendje kërcënuese për jetën në Qendrën Klinike-Shkup.
- Post By Sara Ademi
- 15:14, 1 janar, 2026
Shkup, 1 janar 2026 (MIA) - Nata e Vitit të Ri kaloi kryesisht në mënyrë të qetë, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Në një deklaratë për mediat, ai informoi se kanë ndodhur dy incidente të rënda - vrasja e një shtetasi turk me thikë në Çarshinë e Shkupit dhe rasti i një fëmije dyvjeçar të lënduar rëndë, në mënyrë të panjohur, i cili është në gjendje kërcënuese për jetën në Qendrën Klinike-Shkup.
Toshkovski tregoi se lëndimi i fëmijës ishte nga një "fragment metali që nuk mund të specifikohet në detaje në këtë kohë".
"Ekzistojnë disa teori se si është lënduar fëmija. Sapo të përcaktojmë shkaqet e sakta të këtij lëndimi të rëndë trupor, do ta informojmë publikun", tha Toshkovski.
Lidhur me shtetasin turk të vrarë, ai tha se një person tjetër është plagosur rëndë në incident, dhe të dy kanë marrë lëndime nga një thikë e mprehtë.
"Kemi një të dyshuar, në interes të hetimit nuk mund të zbuloj më shumë detaje. Personi aktualisht është në arrati. Bëhet fjalë për një numër të madh pjesëmarrësish në ngjarjen e djeshme kriminale dhe sipas informacioneve që kam deri më tani - të gjithë janë shtetas të huaj", tha Toshkovski.
Ministri njoftoi se gjatë natës së Vitit të Ri, shtatë persona u lënduan nga përdorimi i mjeteve piroteknike, dhe një person u vetëlëndua nga përdorimi i një arme zjarri (pushkë gjuetie) në territorin e SPB Manastir.
"Në të gjithë periudhën e djeshme janë regjistruar 31 vepra penale dhe 23 aksidente trafiku, dy prej të cilave kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore. Gjithsej 49 persona janë ndaluar për arsye të ndryshme, kryesisht në lidhje me trafikim të paligjshëm të drogës dhe prishje të rendit publik", tha Toshkovski.
Situata e sigurisë në të gjithë vendin, tha ai, ishte e qëndrueshme dhe për këtë qëllim kishte një prani të përforcuar policore në terren dhe u morën masa të koordinuara dhe të synuara për të ruajtur një situatë të favorshme sigurie.
Siç tha ai, shifrat tregojnë se "shumica dërrmuese e qytetarëve u sollën me përgjegjësi dhe në këtë mënyrë kontribuan në sigurinë personale dhe kolektive".
"Prania e shtuar e nëpunësve policor në terren kontribuoi në një numër të vogël incidentesh të prishjes së rendit publik, në përgjithësi. Falënderoj të gjithë qytetarët që festuan me përgjegjësi, siç apeluam ne, dhe kontribuan së bashku që nata e Vitit të Ri të kalojë në mënyrë të qetë", tha Toshkovski dhe falënderoi të gjithë nëpunësit policor që ishin në detyrë gjatë natës. sa/
Foto/video: MIA