• e enjte, 26 dhjetor 2024

VMRO-DPMNE shpall thirrje publike për zgjedhjen e kandidatit për president shteti

VMRO-DPMNE shpall thirrje publike për zgjedhjen e kandidatit për president shteti

Shkup, 6 shkurt 2024 (MIA) - VMRO-DPMNE në bazë të neneve 38, 40, 41 dhe 42 të Statutit të VMRO-DPMNE-së si dhe konkluzioneve të miratuara në seancën e Komitetit ekzekutiv të datës 05.12. 2023, shpall thirrje publike për kandidatë për president të Republikës së Maqedonisë i cili do të mbështetet nga VMRO-DPMNE në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Siç kumtuan sot nga VMRO-DPMNE, kandidati i cili do të paraqitet dhe plotësojë kushtet e parapara do të zgjidhet në Konventën që do të mbahet më 2 mars në Shkup, sipas vendimit të KE të VMRO-DPMNE-së.

Kandidatët e interesuar për pjesëmarrje në Konventë duhet t'i përmbushin obligimet dhe kushtet e përcaktuara kushtetuese në nenin 80 për t'u kandiduar si kandidat për kryetar të shtetit dhe që pajtohen dhe mbështesin politikat e VMRO-DPMNE-së.

"Të gjithë ata individë që e konsiderojnë veten kandidat potencial duhet të kenë mbështetjen e së paku 30 delegatëve të cilët më parë janë votuar nga KE e partisë dhe të publikuar në ueb faqen e VMRO-DPMNE-së. Kandidatët duhet të dorëzojnë program dhe plan të punës që do të shqyrtohen nga trupat punues në Konventën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhjen e kandidatit për president të Republikës së Maqedonisë edhe atë më së voni deri më 21.02.2024 deri në orën 17:00 në hapësirat e selisë qendrore të VMRO-DPMNE-së, sheshi VMRO-DPMNE, Pallati dr. Hristo Tatarçev (Sheshi VMRO nr. 1) në Shkup", thuhet në kumtesën e partisë.

VMRO-DPMNE, shtohet në komunikatë, do të zgjedhë kandidatin më të motivuar për president të Republikës së Maqedonisë i cili së bashku me qytetarët do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2024.

"VMRO-DPMNE me kandidatin e ardhshëm që do ta zgjedh për president të Republikës së Maqedonisë do ta mposht këtë pushtet. Maqedonia meriton të ketë president i cili në mënyrë aktive do t'i mbrojë interesat shtetërore dhe kombëtare të të gjithë qytetarëve dhe do ta përfaqësojë vendin me dinjitet para Evropës dhe botës", thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

Foto: VMRO- DPMNE

 

QËNDRONI TË LIDHUR