• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vlerësime negative për Raportin e punës së Këshillit të prokurorëve të komisionit parlamentar amë

Vlerësime negative për Raportin e punës së Këshillit të prokurorëve të komisionit parlamentar amë

Shkup, 19 shtator 2024 (MIA) - Deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan sot që anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik të japin dorëheqje dhe të shpërndahet ky organ, duke marrë parasysh besimin prej 2 për qind në gjyqësor dhe punën e Këshillit. Ata e vlerësuan negativisht Raportin Vjetor për punën e Këshillit të Prokurorëve Publikë për vitin 2023, duke kritikuar veçanërisht pjesën në të cilën thuhet se Këshilli ka arritur "rezultate të rëndësishme në punën e tij" dhe se "raportet nga të gjitha prokuroritë publike janë vlerësuar pozitivisht". Raporti dhe puna e Këshillit të Prokurorëve Publikë u kritikua edhe nga deputetët e Koalicionit Vlen.

Lupço Prenxhov, kryetar i Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie me bashkësitë, iu drejtua kryetares së Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrievska, duke thënë se shumica dërrmuese e qytetarëve presin dorëheqje nga anëtarët e këtij organi dhe se është e turpshme që me një rejtung të tillë në gjyqësor askush të mos japë dorëheqje.

"Nuk keni autoritet dhe kapacitet të vendosni sistem të prokurorisë publike", tha Prenxhov, duke njoftuar se grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së negativisht do ta vlerësojë raportin e tyre vjetor.

"Antonio Milloshoski theksoi se ka edhe përgjegjësi politike në lidhje me personelin në gjyqësor, duke kujtuar rastin e Ixhet Memetit, i cili dha dorëheqje pasi dyshohej për ryshfet. Për anëtarësimin e Memetit në Këshillin e prokurorëve publikë, tha Milloshoski, Kuvendi votoi me 61 vota. Pyesim, tha ai, pse të paktën çdo dhjetë ditë ka ardhur të konsultohet me ish kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Ai përkujtoi se Memeti ka qenë Avokati i Popullit për 16 vite, ka qenë edhe ministër i Drejtësisë dhe avokat.

"E pamë se çfarë po bënte. Duke e shitur drejtësinë për para", tha Milloshoski.

Deputeti tha se heshtja e prokurorëve është e pajustifikuar nëse dyshojnë për një koleg të tyre dhe as se është e turpshme të japësh një dorëheqje, që nuk do të thotë domosdoshmërisht pranim faji, por alarm apo korrigjues për të ndryshuar diçka.

Bekim Qoku nga Koalicioni Vlen tha se nuk do t'i japin dritë të gjelbër Raportit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, duke shtruar një sërë pyetjesh lidhur me rastet e anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrime, si kryetari i Strugës, Ramiz Merko, dhe të tjerë.

Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publik Dimitrievska e prezantoi raportin duke theksuar se ka mungesë të prokurorëve dhe vlerësoi se janë arritur rezultate të rëndësishme në punë. Aty renditen edhe rastet në të cilat kanë vepruar.

Ndër të tjera, ajo tha se Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk ka kompetencë për të kryer mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme në veprimet e prokurorëve publikë në prokuroritë publike, por se kjo është kompetencë ekskluzive e prokurorive më të larta publike.

"Vlerësimin e cilësisë dhe ligjshmërisë së punës së prokurorëve publik e bën prokurori publik i Prokurorisë Publike përkatëse, dhe Këshilli vendos në bazë të kundërshtimit të paraqitur për vlerësimin e pranuar, që do të thotë se Këshilli vendos në bazë të ankesës së paraqitur ndaj vlerësimit të pranuar, që nënkupton se Këshilli, si dhe në procedurat disiplinore, dhe në këtë rast vepron si organ i shkallës së dytë pas ankesave të parashtruara", theksoi Dimitrievska.

Këshilli i Prokurorëve Publik, siç theksoi ajo, konsideron se është e nevojshme të bëhen ndryshime dhe plotësime të caktuara në Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publik, për t'i dhënë autonomi më të madhe Këshillit në aspektin e monitorimit të punës së prokurorëve publikë, në aspektin e ligjshmërisë dhe shpejtësisë së veprimeve të tyre, pa cenuar autonominë dhe pavarësinë e secilit prokuror publik në fushën e marrjes së vendimeve të prokurorisë publike. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR