VLEN: Shqiptarët nuk janë vegël, shqiptarët janë ligj
- Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues, mirëpo për një çerek shekulli asnjëherë nuk u bë ligj.
- Post By Besnik Shuki
- 14:38, 11 prill, 2026
Shkup, 11 prill 2026
Të nderuar,
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues, mirëpo për një çerek shekulli asnjëherë nuk u bë ligj.
Kemi pasur arnime dhe asgjë tjetër.
Pa ligj, BDI e kishte më lehtë të manipulonte. Pa ligj, e kishte më lehtë ta mbante shqiptarin peng me mashtrime.
Dhe shqiptari i ka parë të gjitha. Ka parë si punësohen njerëz pa meritë. Ka parë si të tjerët lihen jashtë, edhe pse e meritonin. Ka parë si kërkohen para për një vend pune që u takon. Ka parë si kjo çështje ishte kthyer në biznes politik.
Kjo ishte mënyra e tyre e qeverisjes. Por kjo tashmë i takon të kaluarës.
Pas heqjes së veglës balancuesi, ne si VLEN nuk u fshehëm. Nuk u strukëm. I përveshëm mëngët dhe sollëm ligj. Sepse shqiptarët nuk mund të mbahen më me vegla. Shqiptarët meritojnë ligj.
Me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për herë të parë vendoset rregull për të gjithë. Për herë të parë, kjo punë nuk mbetet më pa zot shtëpie.
Për herë të parë formohet trup koordinativ, në krye me zëvendëskryeministër shqiptar, që do ta ndjekë zbatimin e ligjit dhe do të kërkojë llogari nga çdo institucion.
Me pak fjalë, nuk ka më vend për hile, deklarimet e rreme nuk kalojnë më dhe koha e mashtrimeve merr fund.
Ky ligj nuk është për një parti. Ky ligj është për çdo shqiptar që ka pritur me vite të trajtohet si duhet. Të marrë hisen e vet.
Sepse në fund të fundit, njerëzit nuk kërkojnë shumë. Kërkojnë vetëm drejtësi.
Veglën e zëvendësuam me ligj. Sepse shqiptarët nuk janë vegël. Shqiptarët janë ligj.
Astrit Iljazi, VLEN
_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: MIA arkiv