VLEN: Qytetarët të mos bien në kurthin e manipulimeve politike të BDI-së
- Koalicioni i partive shqiptare VLEN dënon ashpër retorikën nxitëse dhe polarizuese të cilën vazhdon ta përdorë BDI, e që për qëllim të vetëm ka të mbulojë skandalet korruptive të përmasave marramendëse të zyrtarëve të lartë të kësaj partie.
- Post By Fami Bajrami
- 17:35, 15 dhjetor, 2024
Shkup, 15 dhjetor 2024
Koalicioni i partive shqiptare VLEN dënon ashpër retorikën nxitëse dhe polarizuese të cilën vazhdon ta përdorë BDI, e që për qëllim të vetëm ka të mbulojë skandalet korruptive të përmasave marramendëse të zyrtarëve të lartë të kësaj partie.
Thirrjet për radikalizim në secilën paraqitje publike të tyre duke filluar nga lideri e deri te aktivisti më i thjeshtë, komunikatat me përmbajtje antagoniste dhe përplot urrejtje ndëretnike, skenarët për destabilizim siç ishte “roja e gjuhës” e që u dëshmua një kauzë joekzistuese, nuk janë asgjë më shumë sesa tentime të dëshpëruara të kësaj strukture të korruptuar politike për të mbuluar turpin dhe kompromentimin me etnonacionalizëm. Retorika e këtillë por edhe sjellja anarkiste e tyre qartazi janë të frymëzuara nga politikani i preferuar i tyre Nikolla Gruevski i cili në vitin 2016 refuzonte të shkonte në opozitë dhe kërcënonte shtetin me “Natën e thikave të gjata” – aksionin famëkeq të Hitlerit për të eliminuar të gjithë kundërshtarët e tij politikë.
Është dëshpëruese për opinionin vendor por sidomos për partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë – SHBA, NATO, BE, OSBE, që një parti politike e cila që nga themelimi ka promovuar pajtimin, stabilitetin, tejkalimin e ndasive dhe integrimin evropian, sot është kthyer në organizatë parapolitike nxitëse të konflikteve, të mosdurimit etnik, të shpërfilljes së institucioneve dhe shkeljes së ligjit. Pyesim publikisht: cila është fytyra e vërtetë e BDI-së? Ajo e politikave të moderuara dhe tolerancës, apo kjo e sotmja, e kërcënimeve, e urrejtjes, dhe çoroditjes së plotë shkaku i humbjes së pushtetit? A është BDI-ja partia e cila proklamonte se “Maqedonia është po aq e shqiptarëve sa edhe e maqedonasve”, ose është BDI-ja kjo e sotmja që urren, lufton dhe tenton të shkelë ndaj çdokujt që përpiqet t’i tregojë se edhe opozita ka rol të rëndësishëm në shoqëritë demokratike? Pyesim publikisht: a nuk u vjen turp funksionarëve të deridjeshëm shtetërorë, përfshirë një ish kryeministër, një ish ministër të jashtëm, një ish ministër të financave, e shumë e shumë të tjerë, që mandatet i kanë harxhuar për t’u pasuruar dhe jo për të zgjidhur çështjen e hapur të gjuhës shqipe dhe sot, pa pikë turpi çirren për gjuhën, kombin e gjakun?
Koalicioni VLEN bën thirrje tek qytetarët të mos bien në kurthin e manipulimeve politike të BDI-së. Shqetësimi i vetëm i tyre është zbulimi i korrupsionit marramendës të zyrtarëve të lartë dhe ish funksionarëve qeveritarë. Lista e zezë amerikane e bëri të qartë lidhjen vëllazërore mes Ali Ahmetit e Artan Grubit dhe Nikolla Gruevskit e Sasho Mijallkovit. Pikërisht kjo është arsyeja e vërtetë përse janë të shqetësuar dhe të frikësuar zyrtarët e lartë të BDI-së. Ora e përgjegjësisë po afron.
Koalicioni VLEN
__________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.