VLEN përshëndet miratimin e Propozim- ligjit për shkollat e mesme të komuniteteve fetare
- Dje ishte një ditë historike për arsimimin dhe për besimtarët në vendin tonë. Me krenari dhe përkushtim, ju njoftojmë se Qeveria dje e ka miratuar propozim-ligjin për shkollat e mesme të komuniteteve fetare, që është një hap tejet i rëndësishëm që e zgjidh përfundimisht një çështje shumëvjeçare dhe të ndjeshme për nxënësit e shkollave fetare në Maqedoninë e Veriut, e veçmas për nxënësit e Medresesë “Isa Beu”.
- Post By Fami Bajrami
- 13:01, 16 korrik, 2025
Shkup, 16 korrik 2025
Dje ishte një ditë historike për arsimimin dhe për besimtarët në vendin tonë. Me krenari dhe përkushtim, ju njoftojmë se Qeveria dje e ka miratuar propozim-ligjin për shkollat e mesme të komuniteteve fetare, që është një hap tejet i rëndësishëm që e zgjidh përfundimisht një çështje shumëvjeçare dhe të ndjeshme për nxënësit e shkollave fetare në Maqedoninë e Veriut, e veçmas për nxënësit e Medresesë “Isa Beu”.
Ky ligj bën të mundur që diplomat e Medresesë “Isa Beu” dhe të shkollave të tjera fetare të njihen dhe të barazohen plotësisht me ato të çdo shkolle tjetër të mesme në vend. Pas disa dekadave diskriminim të heshtur dhe mungese përfaqësimi të denjë, sot këta nxënës po e fitojnë të drejtën e plotë si çdo qytetar tjetër. Me këtë ligj nxënësit e kësaj shkolle do ta kenë arsimimin gjimnazist, të plotësuar me lëndët fetare, ndërsa në fund të shkollimit do ta japin provimin e maturës shtetërore, që ashtu të mund të regjistrohen në secilin fakultet të vendit dhe të huaj publik dhe privat.
Ky nuk është vetëm një hap teknik, por është një përmbushje e një detyrimi moral dhe një nderim për besimin dhe dijen që buron nga përkushtimi ynë politik dhe jetësor. Me këtë hap, ne e ripërtërijmë besimin në shtet, duke garantuar se shkollat e mesme fetare janë pjesë integrale dhe e respektuar e sistemit arsimor të vendit tonë. VLEN-i nuk bën lojëra politike me ndjenjat fetare. Ne e respektojmë shtetin shekullar, por i njohim dhe i respektojmë edhe të drejtat fetare të secilit qytetar. Ky ligj është dëshmi e qartë e angazhimit tonë për drejtësi, barazi dhe respekt për diversitetin kulturor dhe fetar në shtetin tonë. Ky nuk është vetëm një ligj, por është një testament i fuqisë së vlerave tona, një garanci se asnjë besim, asnjë ndjenjë dhe asnjë komunitet nuk do të mbetet më kurrë nën hije.
Në të kaluarën, kjo çështje është shfrytëzuar politikisht nga ata që për 20 vite e mohuan zgjidhjen reale, duke i mashtruar qytetarët me akreditime të rreme dhe duke ndërtuar barriera të panevojshme për të rinjtë tanë, por sot falë vullnetit të fortë dhe përkushtimit të VLEN-it, po u themi “mjaft” padrejtësive dhe po e sjellim ndryshimin e merituar.
Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar në këtë proces: kryeministrin Hristijan Mickovski, me të cilin u dakorduam për ta ecur bashkërisht këtë proces, zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, që e ka ndjekur në çdo hap këtë proces, ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, për korrektësinë dhe qasjen konstruktive për përgatitjen e këtij ligji, ndërsa falënderim të veçantë meriton zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, që ka qenë i angazhuar me detyrë nga VLEN-i për këtë projekt-ligj. Po ashtu dua t’i falënderoj edhe të gjithë aktorët e tjerë që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit, si dhe ministrat që kanë ndihmuar me debat dhe mbështetje për këtë projekt-ligj.
Tash, pasi që ka kaluar në qeveri, projekt-ligji shkon në Kuvend dhe unë me këtë rast u bëj thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin atë dhe të dëshmojnë se janë në favor të të drejtave të barabarta arsimore të të gjithë qytetarëve.
Le të vazhdojmë së bashku drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të ndritur! Sepse ia VLEN.
Zeqirija Ibrahimi, VLEN
_______________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.