"Vlen" për kërkesën e BDI-së për dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese: Ata së pari të kërkojnë dorëheqjen e anëtarëve të tyre
- Bashkim Asani nga koalicioni "Vlen" në konferencën e sotme për media, duke komentuar kërkesën e BDI-së për dorëheqje të menjëhershme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi se së pari duhet të kërkojnë dorëheqjen e anëtarëve të tyre.
- Post By Sara Ademi
- 15:43, 12 dhjetor, 2024
Shkup, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Bashkim Asani nga koalicioni "Vlen" në konferencën e sotme për media, duke komentuar kërkesën e BDI-së për dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi se së pari duhet të kërkojnë dorëheqjen e anëtarëve të tyre.
"BDI së pari duhet të kërkojë dorëheqje nga anëtarët e saj. Nga kryetari, nënkryetari, pastaj me radhë, nga të gjithë. Anëtarët e ndershëm të BDI-së duhet të ngrihen për të ngritur tenda në Reçicë të Vogël dhe për të kërkuar çlirimin e partisë nga hijet dhe kukullat e korruptuara. Kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar atë që ka mbetur nga kjo parti. "Vlen" do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të shqiptarëve dhe do të luftojë për çlirimin e politikës, korrupsionit dhe mashtrimit", tha Asani.
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate ka kërkuar sot dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
"Reagimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në konferencën për shtyp shënon kulmin e papranueshmërisë. I pyetur nga një gazetar për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën pas tij, pavarësisht se ligji për përdorimin e gjuhëve është në fuqi, kryetari u shpreh se "e di që ligji është në fuqi, por ai ligj nuk i pëlqen". Një deklaratë e tillë është skandaloze dhe krejtësisht e papranueshme! Një person që shpreh hapur mospajtimin me ligjet në fuqi dhe zbaton standarde të dyfishta në një post kaq të rëndësishëm si Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të jetë i denjë për të vazhduar detyrën. Sjellja e tij cenon jo vetëm besimin e qytetarëve në institucionet, por edhe parimet themelore të demokracisë dhe barazisë ndëretnike. Për këto arsye BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në kumtesën e BDI-së.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dje ka theksuar se vendimi për mbajtjen e seancës përgatitore për nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk duhet të interpretohet si dobësi. Ai ka informuar se çështjet kontestuese do të përcaktohen në një takim pune më 23 dhjetor dhe pas seancës përgatitore, më së voni deri në maj, Gjykata do të vendosë për këtë çështje.
"Në momentin kur marr këshillën miqësore nga Komisioni i Venecias, do të thirret menjëherë seanca përgatitore. Edhe tani, në përfundim të kësaj seance, kam kërkuar nga gjyqtari raportues që më së voni deri më 23 dhjetor të përgatisë pyetjet juridike kontestuese për shqyrtimin paraprak, të përgatisë draft listën e pjesëmarrësve, sepse vendimin e merr Gjykata në një takim të posaçëm të punës dhe në atë moment kur marrim "amikusin", vlerësimi im është se do të jetë fillimi i marsit, do të mbahet seanca përgatitore", tha ai, duke shtuar se pas seancës përgatitore, jo më shumë se një muaj, do t'u nevojiten për të përpunuar referatin në bazë të rezultateve të seancës përgatitore, që do të thotë, siç tha ai, Gjykata do të vendosë për këtë lëndë më së voni në maj. sa/
Foto: MIA