• e martë, 24 dhjetor 2024

VLEN: Mbështetje të parezervë për kryeparlamentarin Afrim Gashi dhe thirrje që gjykata kushtetuese të mos hap "kutinë e Pandorës"

VLEN: Mbështetje të parezervë për kryeparlamentarin Afrim Gashi dhe thirrje që gjykata kushtetuese të mos hap

Shkup 1 shtator 2024 (MIA) - Trupi Koordinues politik i koalicionit VLEN u mblodh sot në një takim pune, ku u diskutuan disa çështje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në qendër të diskutimeve ishte interpelanca e parashtruar ndaj kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, dhe deklaratat e fundit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe balansuesin.

Pas diskutimeve të thelluara, Trupi Koordinues i VLEN-it arriti në këto dy konkluzione të rëndësishme:

1.    Trupi Koordinues i VLEN-it e vlerëson interpelancën ndaj kryetarit të Kuvendit si një eksperiment politik të pakuptimtë dhe një përpjekje për destabilizim. Ne shprehim mbështetje të parezervë dhe unanime për kryetarin Afrim Gashi, duke theksuar se kjo interpelancë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Kjo është një iniciativë e parashtruar nga partia anti-NATO, "LEVICA", me mbështetje të hapur nga LSDM dhe të fshehur nga BDI, të cilat në fakt po testojnë një koalicion opozitar të zgjeruar në dëm të interesave strategjike.

2.    Trupi Koordinues i VLEN-it pa dashur të ndërhyjë në punët e Gjykatës Kushtetuese e vlerëson si të rrezikshme dhe të papranueshme nismën e tyre për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne vlerësojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për grusht shteti me eksperimente juridike. Nëse një iniciativë e tillë pranohet, hapet Kutia e Pandorës për të gjitha arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë edhe ndryshimin e emrit kushtetues, i cili gjithashtu u realizua pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, e që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të minonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik.

Siç thuhet në kumtesë, koalicioni VLEN do të mbrojë me vendosmëri dhe pa kompromis integritetin e institucioneve të shtetit dhe interesat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke qëndruar fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të dëmtuar rrugën euro-atlantike të vendit. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR