• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

VLEN: Institucionet të lokalizojnë përgjegjësi për aferën korruptive të Lotarisë

VLEN: Institucionet të lokalizojnë përgjegjësi për aferën korruptive të Lotarisë

Shkup, 19 shtator 2024

Për të mirën e brezave tanë të ardhshëm, koalicioni VLEN shpreh angazhimin e palëkundur për të parandaluar çdo formë korrupsioni dhe keqpërdorimi të besimit të qytetarëve.

Me anulimin e kontratës mes kompanisë “HEJ SHPKNJP” dhe Lotarisë Shtetërore, i hapet rruga përgjegjësisë së të gjithë atyre që përfituan përmes kësaj skeme korrupsioni. I bëjmë thirrje prokurorisë dhe instancave të tjera që të ndërmarrin hapat e duhur për zbardhjen e plotë të këtij skandali të turpshëm, që ka shkaktuar dëme të mëdha në
shoqërinë tonë.

Artan Grubi, si kreu i këtij sistemi të prishur, dhe Perparim Bajrami, krahu i tij i djathtë në industrinë e kumarit, janë
simbole të një perandorie të ndërtuar mbi korrupsion, që cenon të drejtat e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Këta persona, të lidhur ngushtë me kryesinë e BDI-së, projektuan dhe operuan një rrjet të strukturuar për pasurim personal për veten dhe të afërmit e tyre.Ne jemi të bindur se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Për çdo hap të bërë drejt shkatërrimit të kësaj perandorie të ndërtuar mbi bixhoz dhe korrupsion, organeve të rendit dhe prokurorisë u është hapur dera për të vënë përpara drejtësisë ata që e kanë ndërtuar këtë skemë.

Kthim mbrapa nuk ka! Ne do të luftojmë deri në fund këtë epidemi bixhozi dhe skemat korruptive të kazinomanëve politikë. Artan Grubi dhe Përparim Bajrami, bashkë me të gjithë ata që kanë përfituar përmes kësaj rruge të ndyrë, do të japin llogari para drejtësisë dhe para popullit.

Koha e pandëshkueshmërisë ka përfunduar!

Koalicioni VLEN

Fotografia: Arkivi i MIA-s

__________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR