• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

VLEN: BDI nga frika po i bie kokës me gurin e vet

VLEN: BDI nga frika po i bie kokës me gurin e vet

Shkup, 21 shtator 2024

Frika e kësaj udhëheqësie të kriminalizuar të BDI-së nga ndjekja penale i detyron ata t’i japin vetes autogola. Nuk ka manipulim më të madh sesa kur klika e BDI-së e akuzon VLEN-in për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përbërja e së cilës është zgjedhur me propozim dhe pajtim të Ali Ahmetit.

Për më tepër, iniciativa e Komisionit për Antikorrupsion për kontestimin e punësimeve mbi bazë të balancuesit, pra sipas përkatësisë etnike, është parashtruar në kohën kur Nuri Bajrami, baxhanaku i Talat Xhaferit, ishte anëtar i këtij komisioni.

As Artan Grubi, si ish-ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, nuk ka dashur të dorëzojë argumente në Komisionin për Antikorrupsion për punësimet e shqiptarëve në administratë. Pra, fajtorët e drejtpërdrejtë për situatën aktuale me balancuesin janë Artan Grubi, Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti. Vendimi i kësaj përbërjeje të
Gjykatës Kushtetuese bie mbi ndërgjegjen e kësaj udhëheqësie të kriminalizuar të BDI-së, e cila, në përpjekje për t'i shpëtuar ndjekjes penale për aferat korruptive të ish-funksionarëve, përpiqet dëshpërimisht të nxisë tensione ndëretnike duke u paraqitur rrejshëm si shpëtimtare e shqiptarëve.

Po i bien kokës me gurin e vet. Shfrytëzojnë manipulime të ulëta duke thënë se shqiptarët janë të përfaqësuar në institucione vetëm kur kriminelët e BDI-së janë në pushtet. Publikisht pyesim: A ka ndonjë kufi që s’e keni shkelur? Si nuk iu vjen turp të nënvlerësoni popullin tuaj në këtë mënyrë? Mos vallë mendoni se shqiptarët, brenda 80 ditëve nga formimi i Qeverisë së re, do t’ju falin mëkatet dhe vjedhjet që u keni bërë?

Edhe një herë përsërisim, koalicioni VLEN është garancia se vendimi i turpshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përdorimit të balancuesit nuk do të ndalojë punësimin e shqiptarëve në administratën publike, sepse ky është një status i garantuar kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Keqpërdorimet e deritanishme me balancuesin, ku maqedonasit janë deklaruar si shqiptarë për t’u punësuar, do të zgjidhen nga VLEN-i me anë të një Ligji për përfaqësim të drejtë, i cili do t’u mundësojë shqiptarëve punësim në organet e administratës shtetërore mbi bazën e profesionalizmit, dhe jo për shkak të përkatësisë partiake.

Kjo klikë e kriminalizuar e BDI-së do të përballet me drejtësinë, dhe derisa të largohet nga politika dhe të pushojë së mbajturi peng anëtarët dhe simpatizantët e ndershëm të partisë, vetëm do të vazhdojë të humbasë besimin e popullit!

Koalicioni VLEN

__________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR