• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

VLEN: Angazhohemi për zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe

VLEN: Angazhohemi për zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe

Shkup, 19 nëntor 2024

Sot kemi një ditë të madhe! Një ditë që tregon se kur punohet me përkushtim, rezultatet janë të pashmangshme. Angazhimi i koalicionit qeverisës, bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe sidomos puna e jashtëzakonshme e ekipit të VLEN-it, po sjellin ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve tanë!

Lajmi i madh? Pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë do të jenë plotësisht funksionale në një pikë të përbashkët! Nuk ka më pritje të gjata, maltretime e pengesa për ata që udhëtojnë mes dy vendeve tona vëllazërore. Kjo është një arritje historike që ndihmon çdo familje dhe forcon lidhjet tona kombëtare! 

Por kjo është vetëm fillimi! Marrëveshjet që kemi nënshkruar dje janë hapa të tjerë drejt të nesërmes e të ardhmes tonë që meritojmë: 

1.      Memorandumi për energjinë – energji më e lirë, më e qëndrueshme dhe
më e aksesueshme për çdo familje dhe biznes.
2.      Marrëveshja për arsimin – një fokus i veçantë për aftësimin profesional të të rinjve, sepse e ardhmja është në duart e tyre. 

Tani, le të ndalemi pak te një çështje që është përpjekur të krijojë debate artificiale. Pas vizitës sonë në Kosovë, disa politikanë të dëshpëruar, që nuk kanë bërë asgjë për qytetarët, po përpiqen të shpikin armiq dhe të hedhin baltë. Madje, disa guxuan ta quajnë kryeministrin Albin Kurti "antishqiptar"! Kryeministrin që ka qenë gjithmonë në krah të shqiptarëve, në çdo cep të botës!

Dhe pse gjithë kjo zhurmë? Sepse Kurti e tha troç të vërtetën për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut! Kush po e kritikon? Opozita e 20%-shit! Ata që për 22 vite kanë heshtur dhe nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët! Ata që kanë lënë shqipen të mbetet peng i një ligji të cunguar dhe të gjykatësve të emëruar nga vetë ata!

VLEN-i thotë me zë të lartë: Shqipja nuk do të jetë përqindje! Shqipja është krenaria jonë, identiteti ynë kombëtar, dhe nuk ka forcë që të na ndalë ta vendosim atë aty ku e ka vendin! Ata që kanë përvetësuar miliona duke abuzuar me ndjenjat patriotike të popullit, tani duhet të përgjigjen! Koha e manipulimeve ka marrë fund! Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë më të bashkuara se kurrë, dhe askush nuk mund të krijojë ndarje mes nesh!

Qytetarë të dashur, mos lejoni që lojërat e vjetra të politike të marrin kohën tuaj. Ne jemi këtu për ju, për të sotmen dhe për të ardhmen tuaj. Me VLEN-in dhe këtë qeveri, ndryshimi është realitet!

VLEN

____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR