• e premte, 27 dhjetor 2024

Vjetrohet edhe një vepër e Mijallkovit

Vjetrohet edhe një vepër e Mijallkovit

Shkup, 7 prill 2023 (MIA) - Gjykata e Apelit Shkup më 13 prill javën e ardhshme duhet të mbajë seancë për ankesat për aktgjykimin e shkallës së parë për procedurën e përsëritur për rastin "Titanik 2", i cili ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore për Zgjedhjet lokale në vitin 2013 në Komunën e Strumicës.

Seanca më 30 mars në Gjykatën e Apelit ishte anuluar, pasi të pranishëm ishin ish-drejtori i DSK, Sasho Mijallikov dhe ish-anëtari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Bedredin Ibraimi, ndërsa nuk ishin të pranishëm lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe anëtarët e KSHZ-së, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev, për të cilët gjykata konstatoi se nuk janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Në ndërkohë vepra penale e Mijallkovit për "marrjen e shpërblimit për ndikim të jashtligjshëm" vjetrohet, pasi kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga dita kur është akuzuar.

Mijallkovi edhe më tej gjykohet për lëndën "Thesari" dhe "Target - Fortesa", të cilat Gjykata e Apelit i pezulloi dhe i ktheu në gjykim të sërishëm.

Nga lëndët të cilat udhëhiqeshin kundër Sasho Mijallkovit, ai mori aktgjykim lirues për rastin "Tortura", dënim me burg prej një viti e tre muaj për "Parcelat në Vodno" i zëvendësoi me katër vite me kusht, ndërsa dënimin e vetëm të plotfuqishëm me burg Mijallkov e mori për rastin "Perandoria" në të cilin arriti ujdi me Prokurorinë. Ai i kaloi tre vite, në burgun e tipit të hapur në "Strugë", pasi e ndryshoi adresën e vendbanimit.

Më 23 janar të këtij viti, Gjykata Themelore Penale i shpalli fajtorë dhe u shqiptoi dënim të përgjithshëm prej 12 vitesh burgim të akuzuarve në procedurën e përsëritur për rastin "Titanik 2", atëherë ish-drejtori i DSK, Sasho Mijallkov, për veprën e kryer penale "marrje e shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm", gjykata e dënoi me dënim me burg në kohëzgjatje prej dy vitesh, ndërsa ish-anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev, gjykata për veprën e kryer penale "shkelje e të drejtës zgjedhore", u shqiptoi dënim me burg nga dy vjet.

Gjykata Themelore Penale në Shkup më 8 mars 2019 të akuzuarve në rastin "Titanik 2" u shqipoi gjithsej 19 vjet e tetë muaj dënim me burg, por Gjykata e Apelit në Shkup në nëntor të vitit 2019, për shkelje thelbësore të procedurës, e pezulloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu rastin në vendimmarrje të sërishme.

Gjykata e Apelit Shkup në nëntor të vitit të kaluar e pezulloi aktgjykimin e shkallës së parë për lëndën "Thesari", ndërsa më pas në dhjetor edhe për lëndën "Target - Fortesa" dhe lëndët i ktheu në procedurë të sërishme.

Gjykata Themelore Shkup më 26 shkurt 2021 për rastin "Target - Fortesa", që ka të bëjë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e pajisjeve të DSK-së, shqiptoi dënim me burg prej 55 vitesh dhe 10 vjet dënime me kusht, gjegjësisht gjithsej 65 vite për 11 persona.

Ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov Gjykata i shqiptoi dënime me burg prej 12 vitesh për veprën penale "bashkëpunim kriminel", "keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit" dhe "marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm". 

Procesi gjyqësor filloi më 22 dhjetor 2017 kundër 11 personave. Gjatë procedurës janë mbajtur 53 seanca, në të cilat janë marrë në pyetje 123 dëshmitarë, janë nxjerrë 887 dëshmi materiale dhe pesë ekspertiza. Janë marrë në pyetje edhe një pjesë e madhe prej mbi 200 personash të dëmtuar.

Gjykata e Apelit Shkup më 23 mars të këtij viti e refuzoi si të pabazë ankesën e Prokurorisë Publike Themelore Shkup lidhur me rastin "Tortura" dhe e konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup.

Gjykata e Apelti në mars të këtij viti e fuqizoi ankesën e Mijallkovit për lëndën "Parcela në Vodno". Aktgjykimi i shkallës së parë prej një viti e tre muaj burgim për Mijallkovin, zëvendësohet me dënim alternativ, dënim me kusht, që nuk do të kryhet nëse ai nuk e përsërit veprën në katër vitet e ardhshme.

Në dënimin alternativ të Mijallkovit - dënim me kusht është përllogaritur edhe koha të cilën e ka kaluar ai në paraburgim.

Në fillim të korrikut 2022 Prokuroria për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit publikoi se ka arritur marrëveshje me Sasho Mijallkovin për lëndën "Perandoria". Mijallkov e pranoi fajin për bashkëpunim kriminel dhe fitimin e paligjshëm të pronës dhe i mori tre vite burgim dhe t'i konfiskohen para dhe prona në vlerë prej 36 milionë eurosh.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR