Vizitat në diasporë, pjesë e angazhimeve me karakter pune të drejtorit Asani
- Vizitat në diasporë, si pjesë e angazhimeve me karakter pune të drejtorit të ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, tash më janë bërë edhe synim që të shkëmbehen përvojat dhe idetë, të cilat në të ardhmen mund të implementohen në projekte të caktuara shkencore e kulturore. Ky është edhe objektivi i Departamentit në formim e sipër për mërgatën, kurse aktivitetet që ndërmerren ndërkohë janë në funksion të mishërimit me ide e vizion konkret të këtij departamenti.
- Post By Fami Bajrami
- 11:16, 19 nëntor, 2024
Shkup, 19 nëntor 2024 (MIA)- Vizitat në diasporë, si pjesë e angazhimeve me karakter pune të drejtorit të ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, tash më janë bërë edhe synim që të shkëmbehen përvojat dhe idetë, të cilat në të ardhmen mund të implementohen në projekte të caktuara shkencore e kulturore. Ky është edhe objektivi i Departamentit në formim e sipër për mërgatën, kurse aktivitetet që ndërmerren ndërkohë janë në funksion të mishërimit me ide e vizion konkret të këtij departamenti.
Të kësaj natyre ishin edhe vizitat e Dr. Asanit në Zvicër (të shtunën) dhe në Kroaci (të dielen), të cilat u realizuan në kuadër të festive të nëntorit, që fillojnë me Ditët e Alfabetit dhe përfundojnë me Ditën e Flamurit.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, drejtori i ITSHKSH-së ishte i pranishëm në manifestimin “Ditët e mërgatës”, me ç’rast u organizua edhe një tribunë nga KShM i Zvicrës me temën “Mërgata në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”, që u mbajt në Llozanë. Pjesëmarrës i kësaj tribune ishte edhe Dr. Asani, cili lexoi kumtesën me titull: “Mbi ujërat e trazuara të kohës, shqiptarët i përdorën barkat fetare për të shpëtuar anijen e madhe kombëtare”. Duke folur për harmoninë tonë fetare, Dr. Asani ndër të tjera vuri në dukje se një komb si shqiptarët do ta kishte vështirë t’iu mbijetojnë furtunave të kohës, sikur t’mos e kishin të zhvilluar sensin e harmonisë së brendshme fetare. “Gjatë procesit të formimit dhe zhvillimit si komb, shqiptarët arritën të fermentojnë në vetëdijen e tyre kolektive unitetin e brendshëm mbi baza të përbashkëta, që ishin gjuha dhe kombi. Dhe ngjarjet e historisë na kanë dëshmuar se dëshmorët e gjuhës dhe të kombit vinin nga pjesëtarë të besimeve të ndryshme fetare, të cilët luftërat identitare i kishin zhvilluar në fronte të përbashkëta. Ata vinin, thënë figurativisht, nga rrjedha të ndryshme të besimeve fetare, por derdheshin në një pellg që quhej komb, që i bashkonte këto rrjedha dhe iu jepte fuqinë e përballimit me sfidate ndryshme të kohës”, nënizoi Asani. I ftuar nga Bashkësia shqiptare e Istrës, me qendër në Pulë, drejtori Asani mori pjesë edhe në përurimin e qendrës së re kulturore të kësaj bashkësie, e cila do të jetë në shërbim të shqiptarëve që jetojnë e veprojnë në Istër, duke qenë edhe promotore e shumë organizimeve me karakter kulturor, edukues e shoqëror. Me këtë rast u organizua edhe një program festiv, në kuadër të Ditëve të Nënës Tereze, ku vend qendror zuri tribuna shkencore, me panelist të ndryshëm. Pjesëmarrës i kësaj tribune ishte edhe drejtori Asani, i cili u paraqit me kumtesën me titull: “Nëna Tereze u angazhua më tepër në rimëkëmbjen
shpirtërore se sa materiale të njeriut”, ku ndër të tjera tha se Gonxhja e jonë sot është shenjtore që e nderon kombin dhe, përtej kësaj, trajta me të cilën ajo e arriti këtë famë është modestia, dashuria dhe bamirësia. Andaj, , nënvizoi Asani, ne nuk jemi as patetikë as nuk e teprojmë kur themi se letërnjoftimi ynë si shqiptarë është pikërisht emri Shën Tereza. “Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike që bashkon universalitetin e virtytit njerëzor dhe shenjtërinë hyjnore. Duke qenë midis njerëzores dhe hyjnores, Shën Nëna Terezë u mundua të na tregojë se thellë në natyrën e njeriut bashkëjetojnë flijimi, ndërgjegjësimi dhe besimi, si tre komponentë që e bëjnë të veçantë qenien njerëzore”, theksoi Dr. Asani. Pas vizitave në Zvicër dhe në Istër, drejtori i ITSHKSH-së, Prof. dr. Skender Asani ka falënderuar drejtuesit e mërgatës shqiptare në këto dy vende, duke premtuar se institucioni që ai drejton do të jetë në shërbim të ideve e projekteve që e bëjnë diasporën shqiptare pjesë e angazhimeve konkrete të karakterit shkencor e kulturor.