• e shtunë, 23 nëntor 2024

Veprimi i KSHPK-së në rastin e emërimit të drejtorit të ASK-së nuk zëvendëson apo shtyn detyrimet e organeve tjera kompetente, thonë nga Antikorrupsioni

Veprimi i KSHPK-së në rastin e emërimit të drejtorit të ASK-së nuk zëvendëson apo shtyn detyrimet e organeve tjera kompetente, thonë nga Antikorrupsioni

Shkup, 30 tetor 2024 (MIA) - Veprimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në rastin e emërimit të drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare nuk zëvendëson apo shtyn detyrimet e organeve tjera kompetente, përkundrazi, siç informojnë nga Antikorrupsioni, "inkurajon të gjitha institucionet kompetente, t'i kryejnë detyrimet në pajtim me kompetencat ligjore".

Nga Antikorrupsioni, gjithashtu theksojnë se veprojnë në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave të tyre ligjore, me qëllim të kontrollit të konfliktit të mundshëm të interesit, integritetit dhe transparencës në procedurat për emërime në pozita udhëheqëse dhe se KSHPK është organ i pavarur me kompetenca të konfirmuara saktë dhe në funksionin e tij udhëhiqet ekskluzivisht nga nevoja për funksionimin ligjor dhe transparent të institucioneve.

"Informacionet në publik për dualizmin në marrëdhëniet ndërmjet KSHPK-së dhe PTHP-së nuk përputhet me realitetin, sepse të dy institucionet kanë funksione dhe strukturë institucionale të ndryshme. KSHPK thekson gjithashtu se veprimet e tij në asnjë rast nuk i ndalojnë veprimet e institucioneve të tjera kompetente në zbatimin e kompetencave të tyre. Përpjekjet e caktuara për të paraqitur veprimet e KSHPK-së si shkak për vonesën apo mosveprimin e institucioneve të tjera, besojmë se nuk janë të justifikuara dhe mund të sjellin perceptime të gabuara në publik", sqarojnë nga Antikorrupsioni.

Nga aty theksojnë se po veprojnë brenda afateve të përcaktuara me ligj dhe ato afate diktojnë veprimet e KSHPK-së, duke siguruar një qasje sistematike dhe transparente ndaj inspektimeve.

"Është e nevojshme që të gjitha organet kompetente të respektojnë kuadrin institucional dhe kompetencat e KSHPK-së, të cilat do të sigurojnë përfundimin efektiv dhe transparent të proceseve në interes të publikut. Besimi në integritetin institucional të sistemit për parandalimin e korrupsionit dhe përgjegjësia ndërtohen përmes konsistencës në kryerjen e kompetencave të secilit organ veç e veç", theksojnë nga KSHPK.

Nga LSDM dje akuzuan se Hristovski nuk ka certifikatë të njohur ndërkombëtarisht për njohjen e gjuhën angleze dhe i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të hapë procedurë në përputhje me kompetencat e saj dhe të përcaktojë përgjegjësinë për shkeljen e ligjit.

Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup dje informuan se aktualisht KSHPK vepron për çështjen për drejtorin e sapoemëruar të Agjencisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe nëse nuk i hetojnë pretendimet brenda një afati të arsyeshëm, Prokuroria sigurisht që do të krijojë lëndë dhe do t'i kontrollojë.

KSHPK-ja javën e kaluar hapi një lëndë për emërimin e Bojan Hristovskit për drejtor të ASK-së, pas një ankese anonime te Antikorrupsioni në të cilën shkruhej se ai kinse nuk i plotëson kushtet për të qenë drejtor. Kryetarja e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska, konfirmoi për MIA-n se kanë pranuar një ankesë të tillë dhe se në bazë të saj është formuar lëndë dhe tashmë po veprohet.

Emërimi i Bojan Hristovskit për drejtor të institucionit përgjegjës për siguri dhe kundërzbulim shkaktoi reagime të shumta në opinion. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR