• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Vendimin për mandat të dytë Pendarovski do ta bëjë të ditur në shkurt, ajo do të varet edhe nga mbështetja partiake

Vendimin për mandat të dytë Pendarovski do ta bëjë të ditur në shkurt, ajo do të varet edhe nga mbështetja partiake

Shkup, 21 dhjetor 2023 (MIA) - Nga rejtingu personal dhe nga rejtingu i përkrahësve potencialë politikë, gjegjësisht nga partitë që do ta përkrahnin, do të varet vendimi i presidentit të shtetit Stevo Pendarovski nëse do të kandidojë për mandat të dytë për zgjedhjet presidenciale të pranverës.

Vendimi pritet të shpallet në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, me shumë gjasa para shpalljes së kandidatit nga opozita VMRO-DPMNE, i cili do të mbahet në konventë më 2 mars.

Sipas Pendarovskit, nevijitet mbështetja e një partie sepse, tha ai, "një kandidat i pavarur nuk ka fituar kurrë në historinë e Maqedonisë", ashtu siç "është shumë e vështirë për një kandidat të pastër partiak të fitojë".

"Nëse ka parti politike potenciale, sigurisht jo në të njëjtin nivel si në vitin 2019 sepse kjo është e pamundur, por parti që duan të më japin mbështetjen e tyre dhe nëse këtu mund të bëhet një kombinim mes asaj që nënkuptohet me Maqedoninë civile dhe partisë Maqedoni, mendoj se shanset janë serioze....Mund të hyni në raundin e dytë, por për të qenë president duhet diçka jashtë elektorateve partiake dhe votuesve partiakë, diçka që quhet skena qytetare, qytetarë që nuk janë të lidhur me partitë politike, të cilët nuk votojnë në çdo zgjedhje, ndaj duhet t'i motivoni që të dalin dhe të votojnë vetëm për ju. Gjë e cila tek ne po bëhet gjithnjë e më e vështirë sepse me kalimin e moshës ulet motivimi i njerëzve, sepse secila parti e radhës fatkeqësisht nuk e realizon atë që e premton", tha Pendarovski sonte në emisionin “Samo Intervju” në TV Kanal 5.

Bëri të ditur se për këtë temë për momentin nuk ka biseduar me liderin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, por pritet të jetë në rend dite pas Vitit të Ri. Ai tha se ka takime të rregullta me kryeministrin dhe liderët e partive parlamentare ku diskutojnë për çështje aktuale politike, por jo për kandidaturat.

Për LSDM-në, ai ka theksuar se procedurat e tyre brendapartiake janë në fillim.

"Praktikisht janë paralajmëruar vetëm afatet për zgjidhjen e tyre për atë procedurë. Ende nuk ka një afat për regjistrimin e anëtarëve të partisë dhe natyrisht të atyre që nuk janë partiakë. Mendoj se sigurisht që do të fillojë për një muaj e gjysmë nga tani", tha Pendarovski.

Në pyetjen nëse bëhet kandidat për president, a është gati për përsëritjen e duelit me Gordana Siljanova-Davkovën, si në zgjedhjet e pesë viteve më parë, ai u përgjigj se “është krejtësisht e parëndësishme se kush do të jetë në anën tjetër nëse bëhet kombinimi", gjegjësisht rejtingu i tij personal dhe rejtingu i partisë që do të qëndrojë pas tij.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, ai tha se Talat Xhaferi duhet të japë dorëheqjen para 28 janarit në mënyrë që qeveria teknike të fillojë të funksionojë nga ajo datë dhe pret të respektohet afati, për të cilin “ka një marrëveshje të saktë politike mes dy partive më të mëdha".

Për të, tha ai, nuk është e diskutueshme që t'i jepet mandat Xhaferit sepse është një marrëveshje ndërpartiake mes qeverisë dhe opozitës.

Lidhur me disa deklarata të VMRO-DPMNE-së opozitare se do të hynin, por nuk do të votonin për atë qeveri të udhëhequr nga Xhaferi, Pendarovski tha “nëse doni të jeni pjesë e asaj qeverie teknike, votoni atë qeveri teknike”. mb/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR