• e shtunë, 23 nëntor 2024

Velkovski: Kam marrë informacione për 2252 pagesa të paligjshme të mjeteve për ndihmë sociale dhe pension

Velkovski: Kam marrë informacione për 2252 pagesa të paligjshme të mjeteve për ndihmë sociale dhe pension

Shkup, 18 mars 2024 (MIA) - Ministri i Punës dhe Politikës Sociale në Qeverinë Teknike, Gjoko Velkovski, sot informoi se ka marrë informacione për keqpërdorime të sistemit të mbrojtjes sociale me të cilat sipas informacioneve fillestare 2252 personave në mënyrë të paligjshme iu janë paguar mjete për ndihmë sociale si dhe për pension social edhe pse nuk i plotësonin kushtet.

"Në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale tashmë jam 50 ditë dhe në këtë periudhë të shkurtër kam marrë njohuri aspak të këndshme, e aq më pak janë në kuadër të veprimit juridik dhe kryerjes me ndërgjegje të detyrave dhe detyrimeve të punës. Deri më tani jemi në dijeni të 2252 pagesave në llogaritë e përdoruesve të cilët sipas ligjit nuk duhet t'i marrin. Ne kemi njohuri fillestare se para disa muajsh është vërejtur një pagesë retroaktive e mjeteve, e cila hapi dyshime të mëdha për keqpërdorime të bëra në institucionet nën juridiksionin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale", tha Velkovski në një konferencë për media.

Sipas njohurive, siç tha ai, manipulimi është sistematik dhe me gjasë në të janë përfshirë disa persona.

"Shërbimet inspektuese nga Ministria tashmë kanë nisur inspektimet e jashtëzakonshme nga sot me qëllim që të zbulohet se kush qëndron realisht pas këtij krimi milionësh. Për të sqaruar situatën për publikun, bëhet fjalë për mbi 2200 përfitues të cilët kanë marrë asistencë minimale të garantuar dhe pension social dhe kanë deklaruar se nuk kanë automjet dhe sipas të dhënave të MPB-së janë pronarë të mjeteve të tilla transportuese. Gjatë kontrollimit të bazave të të dhënave muaj më parë,në sistem qëndron se këta persona kanë një automjet, por është e pashpjegueshme se si shërbimet nuk kanë vepruar në lidhje me të njëjtën gjë, e cila ka vazhduar pagesën e mjeteve, e cila i ka shkaktuar dëme milionëshe buxhetit të Ministrisë", tha Velkovski.

Një nga kushtet për ushtrimin e të drejtave, sqaroi ai, është kontrollimi i gjendjes materiale, shoqërore dhe pasurore të përdoruesit, e që është mosposedimi i automjetit, si dhe të ardhurat e përfituara nga baza të tjera.

"Qëllimi im si ministër i Punës dhe Politikës Sociale është që të njoftoj mbarë opinionin e Maqedonisë se çfarë ka ndodhur në departamentin që unë drejtoj sot dhe të mos lejoj që të ndodhë ky lloj mashtrimi i sistemit. Mendoj se kjo tregon edhe një herë se sistemi i mirëqenies sociale është abuzuar për qëllime dhe interesa të caktuara. Siç e kam njoftuar tashmë, shërbimet inspektuese të Ministrisë tashmë janë duke vepruar. Pas marrjes së raporteve nga inspektimi, ku do të konstatohen situatat që i kemi theksuar më herët, do të kontaktojmë me të gjitha institucionet kompetente për të lokalizuar përgjegjësinë dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për këtë situatë", tha Velkovski.

Këto janë, nënvizoi ai, të gjitha informacionet që mund të ndajë për momentin për të mos dëmtuar procedimin e mëtejshëm.

Ministri teknik prezantoi, siç tha ai, gjendjen e shkeljeve të regjistruara deri më tani sipas komunave, ndërsa numri më i madh janë në Kumanovë - 235, Prilep 229, Manastir 166, Gostivar 164, Kisella Voda 155, Çair 151, Tetovë 150, Shuto Orizare 121, Veles 98, Gazi Babë 79, Strumicë 70, Shtip 59, ... sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR