• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Varheji: Në Këshillin e BE-së ka qëndrim pozitiv për propozimin e KE-së për fillimin e bisedimeve me BeH

Varheji: Në Këshillin e BE-së ka qëndrim pozitiv për propozimin e KE-së për fillimin e bisedimeve me BeH

Bruksel, 13 mars 2024 (MIA) - Në Këshillin e BE-së ka qëndrim pozitiv për propozimin e Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për zgjerim me Bosnjën e Hercegovinën, deklaroi eurokomisari për çështje fqinjësore dhe zgjerim të BE-së, Oliver Varheji.

"Ne propozuam që të fillojnë bisedimet me Bosnjën e Hercegovinën, sipas ne kushtet për këtë janë plotësuar", tha ai.

Varheji shfaqi shpresë se vendet e BE-së do ta mbështesin propozimin javën e ardhshme, ndërsa pastaj KE-ja do të fillojë me përgatitjen e kornizës negociuese. Eurokomisari nuk dha kornizë kohore deri në të cilën mund të miratohet korniza që të fillojnë bisedimet thelbësore. 

Varheji theksoi se autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë pritet të miratojnë ndryshime ligjore shtesë, në mesin e të cilave ai e theksoi edhe legjislacionin zgjedhor. Ai shtoi se KE-ja është e gatshme që ta japë ndihmën e nevojshme për përgatitje të propozim ligjit.

Në pyetjen nëse e ndan mendimin e shërbimeve amerikane të sigurisë se në Ballkan mundet përsëri të ketë dhunë, eurokomisari tha se KE-ja nuk është shërbim inteligjence.  

"Në Bosnje dhe Hercegovinë, ne shohim se autoritetet arritën të formojnë një koalicion në të gjitha nivelet, duke përfshirë përfaqësuesit e Republikës Sërpska. Shumica e deklaratave të presidentit të Republikës Sërpska nuk na pëlqejnë, ato janë shkak për shqetësim, por përfaqësuesit e Republikës Sërpska marrin pjesë në udhëheqjen e vendit. Ne shohim se mbështetja publike për BE-në po rritet në vend, përfshirë edhe Republikën Sërpska", përfundoi Varheji. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR