• e enjte, 26 dhjetor 2024

Van der Bellen: Thuajse 20 vjet, treni për në Bruksel qëndroi në Shkup, por për të vazhduar në BE, nevojitet një shenjë e dukshme - ndryshimi i Kushtetutës

Van der Bellen: Thuajse 20 vjet, treni për në Bruksel qëndroi në Shkup, por për të vazhduar në BE, nevojitet një shenjë e dukshme - ndryshimi i Kushtetutës

Shkup, 29 mars 2023 (MIA) - Presidenti austriak Aleksander van der Bellen porositi sot deputetët në Kuvend se prej tyre varet se kur do të fillojmë hapat e ardhshëm në bisedimet me BE-në dhe sa shpejt do t'i kalojmë ato. Austria, shtoi ai, do të jetë aleati juaj i ngushtë.

"Edhe pse zgjati shumë, rruga drejt integrimit evropian është e trasuar. Nga ju, të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë , varet se kur do të filloni hapat përkatës dhe sa shpejt do ta kaloni atë rrugë. Jini të sigurt se Austria, ashtu si në të kaluarën edhe në të ardhmen, do të jetë aleati juaj i ngushtë në anën e Maqedonisë së Veriut", tha Van der Belen.

Ai thekson se Austria ka mbrojtur që negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të fillojnë përfundimisht korrikun e kaluar dhe që shumë iniciativa të BE-së të jenë në dispozicion të të dy vendeve përpara anëtarësimit formal në Union.

"Që para thuajse 20 vjetësh, treni për në Bruksel qëndronte në stacionin e trenit në Shkup, mirëpo nga korriku i vitit 2022 më në fund sinjalet tregojnë dritën jeshile dhe për këtë ju përgëzoj nga zemra. Maqedonia e Veriut e meriton këtë udhëtim", tha Van der Belln.

Treni me procesin e skriningut tashmë është nisur për në Bruksel dhe është në rrugë të mbarë, por lëvizja e trenit për në Bruksel, siç thekson ai, nuk varet vetëm nga sinjali, por nga shtimi i vazhdueshëm i energjisë, e gjatë rrugës drejt Brukselit edhe Qeveria edhe Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet ta japin atë energji", tha presidenti austriak.

Duke iu drejtuar deputetëve, ai tha se dëshiron t'i lusë dhe inkurajojë ata që të mbeten të motivuar dhe të përqendruar dhe të vazhdojnë të bindin partnerët tanë në BE me rezultate konkrete.

Presidenti austriak Van der Belen theksoi se me Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia e Veriut meriton njohje dhe respekt ndërkombëtar, e edhe më herët me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, vendi u bë shembull në rajonin për bashkëjetesën e suksesshme, diversitetin gjuhësor dhe religjioz.

"Në mënyrë që procesi i zgjerimit të vazhdojë, tani nevojitet një shenjë e dukshme e konfirmimit të atij diversiteti në formën e ndryshimit të Kushtetutës. Dua ta them qartë se nuk besoj se është realiste që marrëveshja e korrikut të vitit 2022 të negociohet edhe një herë", tha presidenti austriak.

Rruga drejt Evropës po jep rezultate, shprehet ai, dhe për këtë ia vlen të hidhet hapi i radhës, i cili nuk është i lehtë.

Para deputetëve ai përcolli përvojën austriake dhe çështjet identitare që ata i kanë pasur para aderimit në BE. Porosia e tij është të mos shqetësoheni, sepse gjuha maqedonase dhe gjuhët që fliten në vend do të mbeten të padëmtuara në atë proces.

"BE-ja angazhohet për barazi në diversitet. Pra, paqen, lirinë, mirëqenien duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët e Bashkimit, të cilët kanë kultura të ndryshme dhe flasin gjuhë të ndryshme", tha ai.

Një proces i shpejtë integrues, sipas tij, kërkon një parlament funksional dhe pëlqim kombëtar. Van der Belen iu drejtua opozitës, duke theksuar se tundimi është i madh për të përdorur të gjitha mjetet në mënyrë që mazhoranca të mos zbatojë idetë e saj, por thelbi i demokracisë është, pavarësisht dallimeve ideologjike dhe të tjera, të mos përçahet vendi, por të bashkëpunohet në mënyrë konstruktive. Kompromisi, siç tha ai, është gur qendror i demokracisë.

"Është një nder i madh për Austrinë dhe për mua që mund t'ju drejtohem në Parlament. Këtë e konsideroj si shenjë respekti për marrëdhëniet e jashtëzakonshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë", tha Van der Belen, i cili i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Doris Shmidauer qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Ai bëri të ditur se të dyja vendet kultivojnë kontakte të ngushta politike dhe theksoi marrëdhëniet e mira të Kuvendit me Parlamentin austriak. "Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes së dy ministrave të drejtësisë do të intensifikojë bashkëpunimin edhe në këtë fushë", tha Van der Belen.

Austria dhe Maqedonia e Veriut, bëri të ditur ai, kanë marrëdhënie të mira ekonomike, por ato mund të jenë edhe më të mira. Investimet e huaja direkte për shumë vite kanë qenë në majën.

"Gëzohem që më shoqërojnë përfaqësues të 25 ndërmarrjeve nga disa fusha, shërbime, energji e gjelbër, bujqësi... kjo e tregon interesin e madh për vendin tuaj. Atje ku do të vijmë ne, atje edhe qëndrojmë ", tha Van der Belen.

Madhësia e delegacionit ekonomik është një shenjë e qartë e madhësisë së interesit të ekonomisë austriake.

Fjalimin e Van der Belen në Kuvend e ndoqën Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministra, anëtarë të trupit diplomatik në vend, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare dhe të gjyqësorit.

Më herët, në ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidenti Stevo Pendarovski priti homologun e tij austriak Aleksander Van der Belen. 

QËNDRONI TË LIDHUR