• e shtunë, 23 nëntor 2024

Van der Belen drejtuar deputetëve: Nga ju varen hapat e ardhshëm në rrugën drejt BE-së

Van der Belen drejtuar deputetëve: Nga ju varen hapat e ardhshëm në rrugën drejt BE-së

Shkup, 29 mars 2023 (MIA) - Presidenti i Austrisë, Aleksander van der Belen sot në Kuvend para deputetëve tha se prej tyre varet se kur do t'i fillojmë hapat e ardhshëm rreth negociatave me BE-në. Austria, shtoi ai, do të jetë aleati juaj i ngushtë.

"Për Austrinë dhe për mua është një nder i madh që mund t'ju drejtohem në Parlament. Këtë e konsideroj si shenjë respekti për marrëdhëniet e jashtëzakonshme midis Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë", theksoi në fjalimin para deputetëve Van der Belen i cili i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Doris Shmidauer po qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Ai shtoi se të dy vendet mbajnë kontakte të ngushta politike dhe ritheksoi marrëdhëniet e mira të Kuvendit me Parlamentin austriak.

"Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes së dy ministrave të Drejtësisë do ta intensifikojë bashkëpunimin", ka thënë tutje Van der Belen.

Presidenti austriak u tha deputetëve se duhet të qëndrojnë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se nuk beson se do të përsëriten bisedimet e korrikut të vitit të kaluar para se të fillojmë negociatat.

Ai ka thënë se Austria është angazhuar që negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të fillojnë së fundmi, ndërsa shumë iniciativa të BE-së të jenë në dispozicion të të dyja vendeve para anëtarësimit formal në Union.

Austria dhe Maqedonia e Veriut, theksoi ai, kanë marrëdhënie të mira ekonomike, por ato duhet të jenë edhe më të mira.

"Më gëzon fakti që më shoqërojnë përfaqësues të 25 kompanive nga më shumë sfera, shërbime, energji e gjelbër, bujqësi... kjo tregon interesin e madh për vendin tuaj. Atje ku vijmë ne, atje dhe mbetemi", tha Van der Belen.

Fjalimin e Van der Belenit në Kuvend e ndoqën presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministra, anëtarë të korit diplomatik në vend, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare dhe gjyqësorit.

Paraprakisht, në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidenti Stevo Pendarovski priti homologun e tij austriak Aleksander Van der Belen.

"Mos e humbisni qëllimin, të punojmë së bashku për pranimin sa më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE. Austria mbetet partneri juaj i besueshëm", deklaroi presidenti austriak në konferencën e përbashkët për shtyp me Pendarovskin. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR