• e premte, 27 dhjetor 2024

Ushqimi dhe energjia e mbajtën inflacionin në SHBA mbi tetë për qind

Ushqimi dhe energjia e mbajtën inflacionin në SHBA mbi tetë për qind
Uashington, 13 shtator 2022 (MIA) - Rritja e çmimeve të konsumit në SHBA u zvogëlua pak në muajin gusht, mbështetur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Të dhënat që sot i publikoi Ministria e Punës tregojnë se indeksi i çmimeve të konsumit në muajin gusht shënoi rritje prej 0,1 për qind krahasuar me korrikun, kur çmimet ngecnin. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, çmimet e konsumit në ekonominë më të madhe në botë u rritën për 8,3 për qind, pas rritjes prej 8,5 për qind në korrik. Nivelin më të lartë inflacioni e arriti këtë vit në qershor, kur ishte 9,1 për qind, që është rekord që nga nëntori i vitit 1981. Ushqimi në gusht u rrit për 13,5 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, përderisa energjia elektrike për 15,6 për qind. Amerikanët, në gusht kanë paguar 33 për qind më shumë për gaz dhe 25,6 për qind më shumë për benzinë. Nëse përjashtohen çmimet e ushqimeve dhe energjisë, norma vjetore e inflacionit është 6,3 për qind. Krahasuar me muajin korrik, çmimet e konsumit janë rritur pak, pasi kostot më të larta të strehimit dhe ushqimit anuluan ndikimin e çmimeve të zvogëluara të benzinës. Në krahasim me muajin korrik, ushqimi u shtrenjtua për 0,7 për qind, ndërsa me të njëjtën përqindje rritje u shënua edhe në kostot e banesave. Çmimet e energjisë ranë për pesë për qind në bazë mujore, falë uljes prej 10,6 për qind të çmimit të derivateve të naftës, që anuloi rritjen e çmimit të gazit dhe energjisë elektrike për 3,5, respektivisht 1,5 për qind. Nëse përjashtohet ndikimi i ndryshimit të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, çmimet e konsumit në muajin gusht u rritën për 0,6 për qind në bazë mujore, dy herë më shumë se në muajin korrik. Inflacioni ngadalësohet sepse pas kërcimit në fillim të vitit, rritja e çmimeve shënon zbutje, që i atribuohet përmirësimit të situatës në zinxhirët e furnizimit global dhe rimëkëmbjes së konsumit në veprimtaritë e shërbimeve. qa/bsh/  

QËNDRONI TË LIDHUR