• e premte, 27 dhjetor 2024

Universiteti i Tetovës organizoi solemnitet për promovimin e absolventëve

Universiteti i Tetovës organizoi solemnitet për promovimin e absolventëve

Tetovë, 24 qershor 2023 (MIA) - Universiteti i Tetovës organizoi solemnitet për promovimin e absolventëve nga viti akademik 2022/2023. Absolventët e 13 fakulteteve që e përfundojnë arsimin e lartë u prezantuan para familjarëve dhe të ftuarve në ceremoninë e cila përfundoi në mënyrë tradicionale me hedhjen e kapelave në ajër.

"Të dashur studentë, kur hidhni kapelet tuaja si simbol i përfundimit me sukses të këtij cikli jetësor, mbani mend se ju jeni shpresa dhe e ardhmja e këtij kombi, që i dha jetë këtij Universiteti. Dhe nesër, kur të zbatoni njohuritë që keni marrë gjatë studimeve, nderojeni veten, familjen tuaj dhe këtë tempull të dijes duke bërë vepra të mira në shërbim të komunitetit. Ju gjithmonë do të jeni zëri ynë që depërton në mendjen e brezave të rinj, duke kultivuar dijen dhe mbjellë dashurinë për të. Ju do të jeni ata që do të na bëni më të suksesshëm sepse suksesi i një universiteti matet me arritjet e studentëve të tij", iu drejtua absolventëve, rektori Kushtrim Ahmeti. 

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, u tha studentëve se kjo ditë do të thotë se ata kanë arritur një qëllim dhe të mos heqin dorë nga kërkimi i asaj që duan.

"Duke organizuar dhe marrë pjesë në konferenca dhe simpoziume, të cilat vlerësohen këtu dhe në rajon, duke investuar në mësimdhënie dhe programe të reja studimore në hap me kohën, dhe duke vazhduar me teknologjinë e re, me një fjalë UT, është një institucion i respektuar nga të gjithë dhe është detyrë e secilit prej nesh, me shembullin tonë, ta promovojmë atë, me fanatizëm këtë burim të diturisë, nga të gjithë ju studentë që nga nesër", theksoi Jeton Shaqiri.

Kjo është gjenerata e 28-të që diplomohet në këtë Universitet. qa/shk/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR