Universiteti i Tetovës dhe universitetet e Ballkanit Perëndimor shqyrtojnë mundësinë e hapjes së programit studimor në lëmin e industrisë së aviacionit
- Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi dhe profesori i po të njëjtit fakultet, Prof. Dr. Ilir Mehmedi dhe përgjegjësja e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari - Zeqiri, i pritën në takim pune profesorët dhe ekspertët e Inxhinierisë Mekanike nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës, të udhëhequr nga Dr. Parid Alimhillaj, nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Prof. Edmondo Minisci nga Departamenti i Mekanikës dhe Aeronautikës, nga Universiteti Strathclyde, Glasgow, Mbretëria e Bashkuar.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:27, 28 maj, 2024
Tetovë, 28 maj 2024 (MIA) - Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi dhe profesori i po të njëjtit fakultet, Prof. Dr. Ilir Mehmedi dhe përgjegjësja e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari - Zeqiri, i pritën në takim pune profesorët dhe ekspertët e Inxhinierisë Mekanike nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës, të udhëhequr nga Dr. Parid Alimhillaj, nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Prof. Edmondo Minisci nga Departamenti i Mekanikës dhe Aeronautikës, nga Universiteti Strathclyde, Glasgow, Mbretëria e Bashkuar.
Ky takim, siç theksohet në kumtesë, u realizua në kuadër të iniciativës së projektit që pritet të realizohet nga Universiteti i Tetovës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti “Nënë Tereza”-Shkup në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Torinos dhe Universitetin Strathclyde nga Mbretëria e Bashkuar.
Qëllimi i këtij projekti është që të krijohet një program baçelor i Inxhinierisë Aeronautike në rajonin e Ballkanit, i cili do të jetë në shërbim të studentëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Kjo është një strategji afatgjate që synon rritjen e aftësive të profesionistëve në lëmin e industrisë së aviacionit. Ky program do të ofrojë arsim dhe trajnim me cilësi të lartë për studentët, duke i pajisur ata me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të shkëlqyer në aspekte të ndryshme të industrisë së aviacionit, duke përfshirë menaxhimin e aeroportit, kontrollin e trafikut ajror dhe mirëmbajtjen e avionëve etj.
Të gjitha palët u pajtuan që do të marrin përgjegjësitë e tyre lidhur me realizimin e këtij projekti dhe me punën, përpikërinë dhe profesionalizmin e të gjitha institucioneve të përfshira, gjasat janë reale që ky bashkëpunim të jetë i frytshëm, posaçërisht për studentët dhe mësimdhënësit e fushës në Ballkanin Perëndimor.