• e premte, 22 nëntor 2024

Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 22 vjetorin e themelimit

Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 22 vjetorin e themelimit

Tetovë, 17 nëntor 2023 (MIA) - Universiteti i Evropës Juglindore shënoi sot 22 vjetorin e themelimit. Pjesë e ceremonisë ishte edhe promovimi i doktorëve të rinj të shkencave të gjeneratës 2022-2023, të cilëve iu dhanë diplomat. Bordi i Universitetit ndau simbolikisht medalje argjendi të personalizuara dhe mirënjohje për punonjësit që plotësojnë 20 vjet përvojë pune.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, në fjalimin e tij solemn, theksoi se UEJL, do ta vazhdojë me përkushtim rrugën për standarde cilësie, fleksibilitet karshi tregut dhe respektim të plotë të kërkesave të tij, vlera multikulturore, ndërkombëtarizim e digjitalizim permanent, bashkëpunim ndëruniversitar.

"Rritja e cilësisë së studenteve krahas numrit, që në hyrje për shkak të Fondit rritës të bursave universitare, alokimi i drejtë dhe efikas i resurseve, rritja e projekteve shkencore dhe aplikative, stabiliteti i mbështetjes financiare nga Buxheti i shtetit, rritja e aktiviteteve komerciale edhe me Parkun teknologjik në suaza të Entitetit afarist për Biznes dhe Inovacion, kanë ndikuar dukshëm në rritjen e kapacitetit dhe qëndrueshmërisë financiare të Universitetit.", tha mes tjerash Rektori Bexheti në fjalimin e tij.

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi tha se themelimi i Universitetit të Evropës Juglindore është një datë e rëndësishme për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.

"Me të u thye barriera politike e psikologjike te ata që e mohonin të drejtën tonë të natyrshme. Për shkak të mungesës së vizionit e mirëkuptimit, u desh shqiptarët të zhvillojnë beteja të shumta politike për të fituar të drejtën e arsimit sipëror dhe për fat të mirë, ne jemi këtu ku jemi, me të drejtën e garantuar me Kushtetutë me orientim të palëkundër euroamerikan.", theksoi në fjalimin e tij Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e RMV-së, Artan Grubi.

Për përvjetorin e themelimit foli edhe kryetari i Bordit të UEJL-së, prof. dr. Klaus Toterman, i cili theksoi se numri 22 nënkupton saktësinë dhe ekuilibrin.

"Në kapacitetin e tij të plotë, ky numër është ndërtuesi, që do të thotë se jep fuqinë për të arritur gjëra pothuajse të pamundura. Edhe një herë është kjo referencë e mrekullueshme për misionin e UEJL-së: Jetëso dijen tënde. I gjithë stafi dhe studentët e UEJL-së mund të jenë krenarë që punojnë në një universitet që i mbështet ata në shumë mënyra për të arritur qëllimet e tyre", tha në fjalimin e tij, kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Toterman.

Artistët e mirënjohur nga Tetova, sopranoja Besarta Murtezani dhe pianisti Shkëlzen Baftijari u kujdesën për anën artistike të Ceremonisë. sa/

Foto: UEJL

QËNDRONI TË LIDHUR