• e enjte, 26 dhjetor 2024

UNDP-ja fillon fushatën kundër dhunës onlajn

UNDP-ja fillon fushatën kundër dhunës onlajn

Shkup, 4 nëntor 2024 (MIA) - Me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe edukimit mbi njohjen dhe raportimin e dhunës seksuale në internet, Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka filluar fushatën “Dhuna në internet lë shenja”. Fushata do të zhvillohet në rrjetet sociale dhe do t'u drejtohet të rinjve, veçanërisht grave dhe vajzave adoleshente të cilat janë viktimat më të shpeshta të dhunës në bazë gjinore.

Ngacmimi seksual dhe ndjekja në internet, si dhe shpërndarja publike e përmbajtjeve intime pa leje, janë format në rritje dhe më të shpejta të dhunës në bazë gjinore. Sipas hulumtimeve, më shumë se 60 për qind e grave në vend të paktën një herë janë përballur me dhunë në internet dhe një në dhjetë gra është viktimë e abuzimit në internet çdo ditë.

Anketa e UNDP-së tregon se 70 për qind e grave që kanë qenë viktima të dhunës onlajn nuk e e kanë paraqitur incidentin. Kjo është arsyeja pse fushata e UNDP-së do të ketë një fokus të veçantë në edukimin e qytetarëve se çfarë paraqet dhuna me bazë gjinore dhe seksuale e mundësuar në aspekt teknologjik, por edhe se si dhe ku mund të raportohet.

Dhuna në bazë gjinore është çdo formë e prishjes së privatësisë, ndjekjes, ngacmimit, gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore, shpërndarjes së përmbajtjes personale pa pëlqim, abuzimit seksual bazuar në foto ose video, qasje e paautorizuar në sistemin kompjuterik, vjedhje e identitetit dhe dhunë e drejtpërdrejtë. Çdo rast të tillë, viktimat mund ta lajmërojnë në stacionin më të afërt policor ose në cybercrime@moi.gov.mk.

Fushata është pjesë e projektit “Shkatërrimi i dhunës seksuale në bazë gjinore në sferën digjitale”, mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut.

Foto: UNDP

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR