• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ueb faqet e Ministrive të Bujqësisë dhe Mbrojtjes me disponueshmërinë më të madhe të informatave me karakter publik

Ueb faqet e Ministrive të Bujqësisë dhe Mbrojtjes me disponueshmërinë më të madhe të informatave me karakter publik

Shkup, 20 dhjetor 2023 (MIA) - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Ministria e Mbrojtjes janë transparente në mënyrë proaktive, ndërsa transparencën më të ulët e ka Enti gjeologjik, tregojnë rezultatet nga monitorimi i kryer nga Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik.

Siç informuan sot nga Agjencia, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mbrojtjes për publikimin proaktiv të informatave janë renditur më së miri me 49 pikë, pas së cilës vijojnë Ministria e Financave dhe Drejtoria doganore me 47 pikë.

"Duhet të theksojmë se ueb faqet e institucioneve më mirë të renditura kanë një mënyrë të lehtë dhe të disponueshme në informatat me karakter publik me interes për kërkuesit dhe i inkurajojmë ata të monitorojnë dhe të ndërtojnë transparencën proaktive, si dhe llogaridhënien në punën e tyre ndaj qytetarët, thonë nga Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik.

Transparencën më të ulët e ka treguar Enti gjeologjik me 11 pikë, ndërsa para tij janë Byroja për metrologji me 12 pikë, Ministria e sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet bashkësive me 13 pikë dhe Inspektorati shtetëror për transport me 13,5 pikë.

Monitorimi është kryer te 51 posedues, përkatësisht në ueb faqet e poseduesve të Qeverisë në periudhën 14 nëntor deri më 14 dhjetor të këtij viti.

"Niveli i transparencës dhe llogaridhënies në punën e Qeverisë së RMV-së, ministrive dhe organeve në përbërje kanë trend në rritje të publikimit proaktiv të informatave me karakter publik dhe transparenca e tyre këtë vit është vlerësuar shumë e mirë. Shumica e institucioneve të monitoruara kanë transparencë shumë të mirë dhe Agjencia u rekomandon poseduesve të respektojnë në mënyrë të vazhdueshme standardet e transparencës dhe llogaridhënies në të ardhmen, për arsye se vetëm në këtë mënyrë institucionet dhe puna e tyre do të jenë më të disponueshme për përdoruesit përfundimtarë, kërkuesit e informatave me karakter publik, përkatësisht qytetarët", qëndron në kumtesën. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR