• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Turqia midis Lindjes dhe Perëndimit ose përgjatë rrugëve të Perandorisë Osmane

Turqia midis Lindjes dhe Perëndimit ose përgjatë rrugëve të Perandorisë Osmane

Shkup, 16 qershor 2024 (MIA) - Duke ecur nëpër rrugët e kryeqendrave osmane dhe duke rizbuluar historinë e pasur, kulturën dhe artin, kuzhinën e mrekullueshme, peisazhet dhe viset e mrekullueshme detare, si dhe ndërtesat e jashtëzakonshme të ruajtura, bëhet e qartë se Turqia është shumë më tepër se një urë midis botëve të Lindjes dhe Perëndimit, është gjithashtu edhe shtëpia e tyre.

Por në Turqi, kujdesi për gjithë atë pasuri të madhe është po aq magjepsës, kujdesi për të ruajtur dhe ushqyer autenticitetin që u krijua ndër shekuj, dashamirësia ndaj çdo mysafiri dhe vizitori, e kombinuar me tendencat moderne dhe praktikat e qëndrueshmërisë. Nuk është rastësi që Turqia është vendi i dytë me më shumë elementë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s dhe 21 objekte në listën e trashëgimisë botërore.

Në udhëtimin nëpër kryeqytetet osmane vërehet ai respekt për të kaluarën dhe autenticitetin, i cili lejon zbulimin e përvojave të reja por edhe zgjimin e kureshtjes për udhëtime të reja nëpër botët e vjetra.

Stambolli - qendra e qytetërimeve, udhëkryq kulturash

Rruga nis nga Stambolli unik, qyteti i dy kontinenteve, kryeqyteti i lashtë i Perandorisë Romake të Lindjes dhe Perandorisë Osmane, i cili sot është një shkrirje e kulturës moderne dhe traditave të së shkuarës.

Në pjesën e vjetër të qytetit, dikur muret historike të Kostandinopojës, është vendi i Vefas, pjesë e lagjes Fatih dhe tekstura historike e Stambollit. Këtu është dyqani legjendar i bozës Vefa, historia e të cilit fillon në 1876 dhe vazhdon deri më sot. Pija tradicionale turke, origjina e së cilës daton mijëra vjet më parë, është një pjesë e rëndësishme e kulturës osmane. Kjo traditë ndihet menjëherë nga dekori simpatik i dyqanit më të vjetër të bozave në qytet.

Banorët e zonës thonë se Vefën e ka vizituar edhe Mustafa Kemal Ataturku, dhe në një nga muret e dyqanit është e vendosur në kornizë gota nga e cila ka pirë këtë bozë. Boza e përjetshme "Vefa" ka një ngjyrë dhe trashësi të verdhë të çelur pothuajse si puding, dhe shijen specifike e merr nga mënyra e përgatitjes me fermentimin e miellit të melit ose grurit. Shërbehet në gota të vendosura në një tepsi të madhe, me lugë dhe të spërkatur me kanellë që nxjerr në pah edhe më shumë shijen specifike. Këtë pije tradicionale e pinin edhe ushtarët dhe pjesëtarët e ushtrisë për t'i dhënë energji, sidomos në ditët e ftohta.

Në këtë pjesë të Stambollit, në njërën nga shtatë kodrat e tij qëndron me krenari Xhamia Fatih, ose Xhamia e Mehmed Pushtuesit, e cila është xhamia e parë sulltanate e ndërtuar në Stamboll pas pushtimit.

Me urdhër të Sulltan Mehmetit II, kjo ndërtesë madhështore u ndërtua në vendin e Kishës Bizantine të Apostujve të Shenjtë, e cila u rrënua pas pushtimit të qytetit dhe një pjesë e rrënojave u përdorën në ndërtimin e xhamisë. Në kompleksin përreth xhamisë ka bibliotekë, shkollë, hamam, si dhe varri i sulltanit osman Mehmeti II. Pavarësisht disa tërmeteve të forta gjatë viteve në të cilat xhamia u shkatërrua dhe rindërtimet që pasuan, ajo mbetet një pasqyrim i traditës së arkitekturës osmane.

Bukuria piktoreske e qytetit, monumentet dhe historitë e panumërta me kontekst historik janë të ndërthurura në gadishullin historik të Stambollit, dikur qendra sociale dhe politike e Perandorisë Romake Lindore dhe Perandorisë Osmane, sot pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ky rajon, i cili në kohën bizantine quhej Galata, dhe më pas Pera pas mbërritjes së tregtarëve nga Xhenova dhe Venecia, ndodhet në anën evropiane të Stambollit. I rrethuar nga Briri i Artë në lindje, Bosfori në perëndim dhe Deti Marmara në jug, gadishulli historik është një nga pikat më të rëndësishme dhe një simbol i Stambollit. Aty janë Hipodromi i Kostandinopojës, Aja Sofia mbresëlënëse, që thuhet se është një mrekulli e vërtetë arkitekturore, Xhamia Blu dhe ndër të tjera edhe Topkapi Sarai.

Kjo pjesë e qytetit, thotë udhërrëfyesi Javuz Sezen, tregon edhe ndikimin evropian, perëndimorizimin e shoqërisë osmane.

“Zhvendosja e kryeqytetit nga Stambolli në Ankara ndryshoi edhe karakterin e qytetit. “Stambolli është marka e Turqisë, me detin, historinë... Ankaraja është kryeqytet për shkak të vendndodhjes”, shton Sezen.

Midis hipodromit dhe Aja Sofisë, në kodrën e parë nga Stambolli, ndodhet Cisterna e Bazilikës, një tjetër ndërtesë e mrekullueshme arkitekturore me një kontekst të pasur historik, të cilën vendasit e quajnë "pallati i nëndheshëm ose i mbytur". Sot një muze i hapur për publikun, vizita e të cilit me siguri do të mbetet në kujtime. Cisterna e Bazilikës në të kaluarën shërbente si një rezervuar nëntokësor që furnizonte Konstandinopojën me ujë. I fshehur në heshtjen nën rrugët gjithmonë plot lëvizje të Stambollit, “pallati i nëndheshëm” magjeps që në shikim të parë. Cisterna e Bazilikës u ndërtua në shekullin e 6-të, gjatë sundimit të perandorit Justiniani i Parë, në vendin e një bazilike nga historia më e hershme e Romës, prej nga vjen emri i cisternës. Qëllimi i saj i rëndësishëm mbetet i pandryshuar edhe pas pushtimit osman të Bizantit.

Duke zbritur poshtë sipërfaqes së Stambollit, dalëngadalë zbulohet struktura madhështore, e përbërë nga shtigje paralele, harqe mistike dhe sigurisht kolonat e mëdha mbresëlënëse mbi të cilat varet tavani, saktësisht 336 kolona të ndryshme mermeri të renditura në mënyrë perfekte, disa në stilin korintik dhe disa në stil dorik. Gjatë vizitës, kolonat ndriçohen butësisht nga një dritë e zbehtë që krijon një kërcim të vërtetë hijesh dhe ndryshon ngjyrat, duke reflektuar tek kolonat ngjyrën e kuqe, jeshile, blu... çdo herë me një përshtypje gjithnjë e më të fortë tek vizitorët se nganjëherë kjo ndërtesë duket se nuk i përket kësaj bote. Ajo që është interesante është se kolonat nuk janë uniforme. Siç shpjegon udhërrëfyesi ynë, shumica e tyre mendohet se përbëhen nga pjesë të rrënojave të ndërtesave të vjetra të sjella nga vende të ndryshme të perandorisë, më pas të bashkuara në një mrekulli arkitekturore që ofron një vështrim jo vetëm në historitë e shkëlqimit bizantin, por edhe kuptimin e ndërtimit të gurtë.

Gjatë shëtitjes nëpër Cisternën e Bazilikës nën sipërfaqen e Stambollit, menjëherë bie në sy kolona që vazhdimisht duket si drejtuese , sikur lotët të mos pushojnë së rrjedhuri prej saj, si dhe kolonat e Meduzës. Banorët vendas thonë se "kolona e lotëve" të kujton Forumin e Teodosit dhe "lotët" thuhet se janë për të gjithë skllevërit që vdiqën gjatë ndërtimit të Cisternës së Bazilikës.

Krahas madhësisë dhe kolonave të ndryshme antike, Cisterna e Bazilikës është e famshme edhe për dy kolonat e Meduzës, në bazën e të cilave është gdhendur koka e Meduzës. Dhe mënyra se si janë vendosur kokat e Meduzës në dy shtylla është e pazakontë - në njërën shtyllë koka është e vendosur anash, dhe në tjetrën ajo është me kokë poshtë. Origjina e këtyre bazave, nga u sollën dhe si përfunduan në "pallatin nënujor" mbetet mister, por ato plotësojnë në mënyrë të përkryer atmosferën mistike të Cisternës së Bazilikës. Vendasit flasin për shumë teori rreth origjinës dhe kuptimit të shtyllave të Meduzës, dhe vendosjes së tyre të pazakontë, por ajo që është e sigurt është se ata e lidhin këtë strukturë mahnitëse me mitologjinë antike dhe ndikimin e saj të fortë. Përshtypja që la Cisterna e Bazilikës është vërtet e fortë, e paharrueshme, siç dëshmohet nga ngjarjet e shumta të mbajtura aty që nga viti 1987 kur u hap për vizitorët, dhe pikërisht kjo ndërtesë është pjesë e skenave në shumë filma dhe të suksesshëm të Hollivudit, duke përfshirë edhe filamt e Xhejms Bondit.

Në urën e dytë të Bosforit kalojmë nga Evropa në Azi. Menjëherë më vjen ndërmend dokumentari muzikor “Duke kaluar përmes urës: Tingujt e Stambollit (2005)” i regjisorit Fatih Akin, i cili përshkruan diversitetin e metropolit turk përmes skenës muzikore. Në të vërtetë, Stambolli rezonon me udhëkryqin e kulturave, me të gjitha kontradiktat e tij.

Sezen tregon se në thellësi të Bosforit ka shumë mbetje anijesh të fundosura, të gjetura në gërmimet arkeologjike, gjë që vërteton se Stambolli ishte qendra e shumë qytetërimeve. Në Bosfor, i cili lidh anët evropiane dhe aziatike të Stambollit, ka një pamje të ndryshme të qytetit.

“Ana europiane ka qenë gjithmonë qendra e qytetit. Ana aziatike u zhvillua më shumë pas viteve 20-30 dhe veçanërisht pas viteve 50-të. Megjithatë, zyrat kryesore, zonat e biznesit janë në anën evropiane. Ana aziatike ka më shumë gjelbërim”, thotë Sezen.

Në fshatin Riva, në lagjen Bejkoz të Stambollit, ndodhet skena filmike më e madhe në Evropë dhe e treta më e madhe në botë – studioja e filmit Bozdag. Këtu, ndër të tjera, janë xhiruar serialet e njohur turke "Themeluesi: Osman" (Kuruluş: Osman) dhe "Zgjimi: Ertuğrul" (Diriliş: Ertuğrul). Në kinostudio, mund të shihni përshkrimin autentik të historisë së lashtë turke, me fokus në Perandorinë Osmane. Për të vizituar vendet ku xhirohen serialet turke, secila me ndërtesa historike të punuara në mënyrë autentike, për të parë nga afër kostumet tradicionale turke, kostumet, bizhuteritë, armët dhe rekuizitat e tjera të përdorura në serial. Vetë vizita në studio dhe aktivitetet e shumta tradicionale që ajo ofron për vizitorët lejon një udhëtim të vërtetë në të kaluarën dhe njohjen e kulturës turke nga një aspekt tjetër dhe interesant.

Pas një pushimi të shkurtër dhe një shëtitjeje përgjatë plazhit të qetë me rërë të Detit të Zi, dhe më pas në labirintin e ngjyrave dhe shijeve të pazarit të famshëm Kapali, kthehemi në qytet për një eksperiencë të re gastronomike në një nga 77 restorantet në Stamboll, të rekomanduar nga ciceroni i Mishelinit për Turqinë. Në zemër të qytetit të vjetër të Stambollit, restoranti Matbah ofron shije ekskluzive tradicionale të kuzhinës osmane. Menuja e restorantit u krijua pas kërkimeve të gjata të bibliotekave të pallatit osman, librave dhe regjistrimeve të historianëve të pallatit dhe anëtarëve të esnafit të kuzhinierëve, të cilët ndanë përvojat e tyre, duke përshtatur në detaje kuzhinën e sulltanëve osmanë me kriteret e sotme. Kjo përvojë unike fillon me sherbetin e trëndafilit në kopshtin veror të restorantit dhe përfundon me traditën osmane të dhënies së dhuratave të mysafirëve pas darkës, në këtë rast me një varëse zinxhiri që stafi i restorantit e mban në një qese të vogël bizhuterish dekorative.

“Kjo traditë është rezultat i respektit që shoqëria i jep mysafirit, dashamirësisë, rëndësisë që i kushton bashkëpunimit dhe solidaritetit”, thotë restoranti.

Bursa – një nga detajet më të bukura të Turqisë

Rruga vazhdon të nesërmen në Bursa. Nga Stambolli udhëtojmë përmes tunelit të Euroazisë, i cili lidh Evropën dhe Azinë nën Bosfor. Me një pushim në qytetin e Izmirit, për të cilin udhërrëfyesi Sezen na thotë se është një zonë e rëndësishme industriale në të cilën ndodhen shumica e rafinerive për shkak të lidhjes me detin Marmara, mbërrijmë në Bursa.

Banorët vendas thonë se Bursa është një nga pjesët më të bukura të Turqisë. I vendosur në rrëzë të malit Uludag, qyteti i Bursës është qyteti i katërt më i populluar i Turqisë dhe është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si vendlindja e Perandorisë Osmane. Bursa konsiderohet kryeqyteti i dytë i Perandorisë Osmane. Qyteti njihet edhe si "Bursa e Gjelbër" për shkak të bukurisë së tij të pasur natyrore. Ky kryeqytet i rëndësishëm i historisë dhe kulturës është gjithashtu i mbushur me art historik, monumente, muzeume, tregje, lulishte, hamame, xhami, thesare kulturore që sfidojnë shekujt si trashëgimi e Perandorisë Osmane dhe me parkun piktoresk të Tophanës, i cili shpalos një bukuri të rrallë. Panorama e Bursës, janë edhe varret e Osman Gazit – themeluesit dhe sulltanit të parë të Perandorisë Osmane dhe djalit të tij Orhan Gazit, sulltanit të dytë të perandorisë, i cili pushtoi Bursën në vitin 1326 dhe u bë kryeqyteti i ri i Perandorisë Osmane.

Xhamia Ulu ose Xhamia e Madhe në Bursa është më e madhja në qytet dhe është ndër më të mëdhatë në të gjithë Turqinë. Shkrimtari osman i udhëtimeve Evlija Çelebija e quajti Xhaminë Ulu - "Aja Sofia e Bursës". Kjo xhami dëshmon fillimet e arkitekturës osmane në qytet. Xhamia e Madhe u ndërtua midis viteve 1396 dhe 1400, gjatë sundimit të Sulltan Bajazidit I. Kjo strukturë e madhe drejtkëndëshe ka dy minare dhe 20 kupola në katër rreshta, të vendosura në 12 kolona dhe është xhamia e parë osmane me kupola të shumta. Ndërtimi i kësaj xhamie filloi pas fitores së Sulltan Bajazitit I në Betejën e Nikopolit në vitin 1396.

“Thuhet se pas fitores në betejën e Nikopolit, Sulltan Bajaziti ka dashur të ndërtoj 20 xhami në Bursa. Megjithatë, duke ndjekur këshillën e Emir Sulltanit, i cili ishte dhëndri i tij dhe një nga mendimtarët kryesorë të asaj periudhe, ai vendosi në vend të 20 xhamive të veçanta të ndërtojë një xhami - Xhaminë e Madhe, dhe ta mbulojë atë me 20 kupola ”, thotë Sezen.

Në brendësi të xhamisë, në pjesën qendrore, gjendet një shatërvan tradicional (shadirvan), forma aktuale e të cilit është e shekullit të 19-të. Shatërvani shërben për ritualin e pastrimit të besimtarëve para namazit. Ajo që bie në sy është se kupola mbi shatërvan është e hapur drejt qiellit edhe pse e mbuluar me xham dhe rrezet e dritës që bien mbi shatërvan krijojnë një atmosferë të veçantë brenda xhamisë. Xhamia Ulu është gjithashtu e famshme për kaligrafinë dekorative në muret dhe kolonat në brendësi të saj, kështu që banorët vendas dhe disa vizitorë e quajnë atë "muzeu i kaligrafisë". Në xhami gjenden 192 vepra kaligrafike, të përbërë nga 87 kompozime të ndryshme të shkruara nga 41 kaligrafë të Perandorisë Osmane. Kompozimet përfshijnë vargje nga Kur'ani, hadithe, 99 emrat e Allahut, emra të ndryshëm të profetit Muhamed dhe emra të mendimtarëve kryesorë islamikë.

Ndërsa Xhamia Ulu është më e madhja në Bursa, Xhamia e Gjelbër është ndoshta xhamia më e famshme në qytet, dhe në Turqi po ashtu, që ngjall admirim për çdo vizitor. Xhamia e Gjelbër është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. E ndërtuar në shek e 15-të gjatë sundimit të Sulltan Mehmed I Çelebiut, kjo xhami shquhet për historinë e saj, arkitekturën, estetikën dhe zbukurimet, sidomos pjesët e mermerit dhe sigurisht pllakat jeshile dhe blu që i dhanë emrin dhe që janë pjesë e dekorit të saj, sidomos në ambientet e brendshme. Xhamia e Gjelbër është pjesë e një kompleksi më të madh që përfshin gjithashtu Varrin e Gjelbër të Mehmetit I.

Në kohën e Perandorisë Osmane, Bursa ishte një qendër e rëndësishme tregtare e njohur veçanërisht për produktet e saj të mëndafshit. Kjo është arsyeja pse ky qytet ishte një ndalesë e rëndësishme në "Rrugën e Mëndafshit" midis Lindjes dhe Perëndimit, vëren Sezen. Pazari qendror i Bursës ose Tregu i Madh ka shumë bujtina dhe karvan-seraje, një nga më të shquarit është Koza An, i ndërtuar në vitin 1492 gjatë sundimit të Sulltan Bajazitit II. Këtu për shekuj u vendosën tregtarët dhe karvanët e tyre që kalonin nëpër këtë rrugë. Edhe pas kaq vitesh Koza An vazhdon të funksionojë dhe ka ruajtur vlerën e tij sociale dhe estetike, duke tërhequr shumë vizitorë dhe turistë.

Koza An është ndërtuar në dy nivele. Në të kaluarën, tregtarët jetonin në katin e sipërm, dhe kafshët e tyre jetonin në katin e poshtëm, shton Sezen. Sot, pjesa e sipërme e Koza Anit përbëhet kryesisht nga dyqane për shalle dhe produkte të famshme mëndafshi të shkëlqyera të Bursës. Në të kaluarën këtu prodhohej edhe fshikëza e mëndafshit, kështu që ky han e ka marrë emrin nga fjala koza, që në turqisht do të thotë fshikëz mëndafshi. Në katin e poshtëm, oborri i Koza Anit strehon disa dyqane suveniresh dhe shumë kafene ku vizitorët mund të pushojnë. Gjithashtu në pjesën qendrore të oborrit të Koza Anit ndodhet një xhami e vogël tetëkëndëshe ose dhomë lutjesh, e cila ngrihet mbi tokë mbi 8 kolona dhe aty mund të arrihet brenda me një shkallë mermeri. Salla e lutjeve u ngrit për ta mbrojtur, që të mos ndotej nga kafshët që tregtarët mbanin në katin përdhes të hanit.

Qyteti i Bursës është gjithashtu i njohur për kulturën e tij të pasur të kuzhinës, e cila gjithashtu ka vazhduar gjatë shekujve. Bie në sy iskender qebapi i famshëm, një specialitet që gjendet në të gjithë Turqinë, por e ka origjinën nga Bursa, ndaj edhe kjo pjatë quhet qebap Burse. Iskender qebapi mban emrin e Iskender Efendiut, banor i Bursës, i cili ishte i pari që përgatiti këtë specialitet në vitin 1867 në restorantin e tij.

Sot, familja Iskenderoglu ende drejton këtë restorant në qendër të Bursës. "Kebapçi Iskender" është një restorant i vogël që bie menjëherë në sy nga ngjyra e tij blu, por edhe nga rreshti gjithmonë i gjatë i njerëzve para restorantit, të cilët me durim presin radhën për të shijuar specialitetin vendas, përbërësit bazë të të cilit janë buka pite ose pite e prerë në copa dhe sipër me salcë domateje, sipër rripave të holla doner qebapi i qengjit që lyhet me gjalpë të shkrirë të ngrohur dhe kos. Receta origjinale i tërheq edhe Stambollistët që të vijnë në Bursa gjatë fundjavave posaçërisht për qebapin vendas Iskender, edhe pse pjata gjendet edhe në shumë restorante në Stamboll, thotë Sezen.

Një tjetër markë tregtare e kuzhinës Bursa janë gështenjat e ëmbla të Bursës, ose gështenjat e mbushura me sherbet ose çokollatë të shkrirë. Ky specialitet është bërë me gështenja të vjela në malin Uludag. Më pas qërohen gështenjat, mbështillen me një leckë të hollë dhe zihen dhe në fund shtohet sherbeti. Duke ecur nëpër qytet, syri tërhiqet kudo nga shumë shtëpi dhe dyqane shumëngjyrëshe që shesin këtë delikatesë tradicionale që ishte pjesë e kuzhinës së sulltanëve.

Bilexhik – qyteti i themelimit dhe i çlirimit

Në Bilexhik hyjmë thellë në histori. Qyteti është djepi i qytetërimeve, sepse që nga periudha parahistorike, rreth vitit 3000 para erës sonë, kur daton vendbanimi i parë në Bilexhik, këtu kanë kaluar shumë popuj dhe fise. Bilexhik është gjithashtu vendi ku u themelua Perandoria Osmane dhe luajti një rol të rëndësishëm në Luftën Çlirimtare Turke, pra në luftën për pavarësi, rezultati i së cilës ishte shpallja e Republikës së Turqisë, sepse këtu u thvillua beteja e para dhe e dytë e Inonut. Betejat e Inonut u zhvilluan në Bilexhik. E gjithë kjo la një trashëgimi të pasur historike dhe arkeologjike në Bilexhik.

“Ekziston një legjendë sipas së cilës themeluesi Osman Gazi e ka parë në ëndërr lindjen e Perandorisë Osmane. Në ëndrrën e tij, Osmani pa një hënë të re duke dalë nga gjoksi i Sheikut Edebali - një person me ndikim në atë kohë dhe udhërrëfyes shpirtëror i Osmanit, dhe më pas hëna hyri në gjoksin e tij nga ku u rrit në një pemë madhështore, degët dhe rrënjët e së cilës u përhapën në të gjithë botën dhe me hijet e tyre mbulojnë lumenjtë, malet dhe gjithë tokën. Kur Osmani e pyeti Shek Edebalin se çfarë kuptimi kishte ëndrra e tij, ai i tha se ajo parashikon krijimin e një perandorie botërore”, thotë Sezen.

Besohet se pas kësaj ëndrre të Osman Gazit, themelet e Perandorisë Osmane u hodhën në zonën e Sogut të Bilexhikut, ndaj disa burime thonë se Bilexhiku është kryeqyteti i parë i Perandorisë Osmane.

Ëndrra e Osman Gazit mund të shihet si një projeksion 3D në Muzeun e Historisë së Sulltanëve Osmanë në Bilexhik. Në hyrje të muzeut, mikpritësit dashamirës na mirëpresin duke na dhuruar shalle tradicionale, modelet e të cilave në disa ngjyra të ndryshme simbolizojnë popujt e ndryshëm që kanë banuar këtë zonë gjatë historisë. Muzeu është vendosur në një kopsht me peizazh të bukur dhe ekspozon portrete, piktura dhe harta që përshkruajnë historitë e jetës së 36 Sulltanëve të Perandorisë Osmane në një shteg kronologjik 200 metra të gjatë. Shtegu fillon me Ertugrul Gazin, babain e Osman Gazit dhe prijës i nomadëve nga fisi Kaji, i cili luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e perandorisë me Osman Gazin dhe përfundon me Sulltanin e fundit Mehmed VI. Shtegu është projektuar dhe rregulluar në mënyrë të tillë që të jetë një kënaqësi e vërtetë jo vetëm për dashamirët e historisë por edhe për çdo vizitor.

Pasi vizituam muzeun, në zyrë na priti guvernatori i Bilexhikut, Shefik Ajgjol. Guvernatori Ajgjol na priti me sherbet tradicional osman dhe në një bisedë të këndshme për qytetin dhe historinë e tij të pasur na tregoi historinë e pallatit të guvernatorit i cili u ndërtua gjatë sundimit të Sulltan Abdulhamidit II. Në vitin 1922, gjatë Luftës së Pavarësisë, pallati u dogj nga ushtria greke dhe më pas u rindërtua midis 1922 dhe 1924. Në sallën e pallatit aktual të guvernatorit qëndron ende stema osmane e ruajtur nga pallati i vjetër.

Mes shumë monumenteve dhe pikave historike të këtij rajoni, spikat varri i Ertugrul Gazit në zonën e Sogut të Bilexhikut. Anëtarët e xhandarmërisë së Sogutit të veshur si ushtarë osmanë ruajnë varrin, të vendosur dy nga një përpara hyrjes kryesore të vendit si dhe para vetë derës së varrit. I gjithë ky vend tregon respekt të jashtëzakonshëm për Ertugrulin, pra për thelbin e shtetit osman. E veçantë është edhe përshtypja për të parë ceremoninë e ndërrimit të gardianëve, që ndodh çdo orë.

Shëtitjen tonë nëpër Bilexhik e përfundojmë me një vizitë në "Han Sanat", një atelie për dizenjimin dhe punimin me dorë të kostumeve prej lëkure të periudhave të ndryshme, aksesorëve të kostumeve, rekuizitave dhe produkteve artistike për filma dhe projekte filmike në Turqi dhe jashtë saj. Saktësia e çdo detaji në prodhimin e kostumeve dhe rekuizitave që rrezatojnë autenticitet, art dhe një traditë të gjatë që është mahnitëse. Në çdo pjesë të punëtorisë fshihen krijime unike që zgjojnë kuriozitet dhe meritojnë vërtetë respekt. Studioja përdor gjithashtu printera 3D, makina prerëse dhe formësuese me lazer që kontribuojnë në prodhimin e lartë.

Pjesë e pashmangshme e një vizite në Bilexhik janë specialitetet dhe ëmbëlsirat tradicionale nga kuzhina e këtij rajoni, bukuria natyrore që mashtron syrin gjatë zbulimit të vendeve dhe pamjeve historike, si dhe prodhimet e punuara me dorë nga balta dhe qeramika, produktet me gurë gjysëm të çmuara që përdoren për të bërë bizhuteri, qëndisje popullore...

E bukura e këtij udhëtimi të paharrueshëm përgjatë rrugëve të kryeqyteteve osmane nga e kaluara e largët deri në ditët e sotme është se historia e tyre nuk mbaron kurrë dhe ka gjithmonë më shumë për të zbuluar përmes udhëtimeve të paharrueshme të përsëritura.

Nevenka Nikoliq

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR