• e martë, 24 dhjetor 2024

Turqia i bëri thirrje milicisë kurde në Siri të mbështetur nga SHBA-ja që të çarmatoset

Turqia i bëri thirrje milicisë kurde në Siri të mbështetur nga SHBA-ja që të çarmatoset

Stamboll, 14 dhjetor 2024 (MIA) - Milicia kurde në Siri e mbështetur nga SHBA-ja duhet ose të shpërbëhet vetë ose të çarmatoset, ka paralajmëruar ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Paralajmërimi i tij i referohet milicisë kurde- Njësisë së mbrojtjes popullore (JPG), e cila kontrollon pjesë të mëdha të Sirisë verilindore përgjatë kufirit turk, ndërsa Ankaraja e konsideron si organizatë terroriste.

"Të gjithë luftëtarët ndërkombëtarë josirianë në radhët e JPG-së duhet të largohen nga Siria sa më shpejt të jetë e mundur. Në fazën e dytë e gjithë komanda e JPG-së duhet gjithashtu të largohet nga Siria, ndërsa pjesëtarët e ngelur duhet të çarmatosen", tha Fidan në një intervistë për televizionin lokal NTV.

Ai shprehu gjithashtu besimin se qeveria kalimtare e Damaskut nuk do të lejojë JPG-në të shfrytëzojë fushat e naftës siriane.

Turqia e sheh JPG-në si një degë të Partisë së jashtëligjshme punëtore të Kurdistanit (PKK) dhe për këtë arsye të dy grupet i konsideron si terroriste.

Nga ana tjetër, SHBA e konsiderojn JPG-në si aleate në luftën kundër ekstremistëve të Shtetit islamik në Siri.

Turqia tani konsiderohet si aktori i huaj më me ndikim në Siri pas ndryshimit të qeverisë.

Pritet që Ankaraja sot përsëri ta hapë ambasadën e saj në Damask për herë të parë që nga viti 2012, kur ajo u mbyll për shkak të luftës civile në Siri.

"Turqia është koordinuar me Rusinë dhe Iranin për të mos ndërhyrë ushtarakisht kur rebelët e udhëhequr nga Hajat Tahrir al-Sham (HTS) marshuan në Damask për ta rrëzuar nga froni sundimtarin autoritar Bashar al-Asad", tha Fidan.

Një person i njohur me këtë çështje në Ankara i tha DPA-së se Turqia i ka thënë HTS-së se shpreson për një tranzicion të qetë në Siri.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR