• e enjte, 26 dhjetor 2024

Tryezë e rrumbullakët: Kompanitë kërkojnë kuadër profesional të gatshëm për të kaluar menjëherë nga shkolla në mjedis të punës

Tryezë e rrumbullakët: Kompanitë kërkojnë kuadër profesional të gatshëm për të kaluar menjëherë nga shkolla në mjedis të punës

 Shkup, 10 tetor 2024 (MIA) - Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut sot organizoi tryezë të rrumbullakët kushtuar rolit të cilin shoqatat e kanë në përbërjen e saj në krijimin e edukimit dhe aftësimit profesional sipas kërkesave dhe nevojave të biznesit.

Natasha Janevska, menaxhere e projektit në Odën Ekonomike, deklaroi se "arsimimi i përshtatur për biznesin" ka qenë gjithmonë ndër prioritetet e Odës, sepse, siç tha, kompanitë kanë nevojë për kuadër cilësor dhe profesional i cili mund të kalojë menjëherë nga shkolla në mjedisin e punës dhe për të përgjigjet në nevojat dhe në të gjitha proceset dhe ndryshimet teknologjike me të cilat përballen kompanitë. 

 "Nëse kemi arsim profesional që duhet të jetë cilësor, ndërsa ka specifikat e veta, është e nevojshme që të gjithë aktorët të jenë pjesëmarrës në krijimin e arsimit profesional. Por, drejtimin kryesor duhet ta japë biznesi, ndërsa institucionet arsimore duhet të jenë ato që menjëherë do të përgjigjen në krijimin e programeve të ndryshme për arsimim dhe përvetësim të kualifikimeve nga nxënësit", tha Natasha Janevska.

 

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska mori pjesë në takimin e anëtareve të Odës për të dëgjuar propozimet e tyre sepse, siç tha, komuniteti i biznesit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në ndërtimin e kuadrit të gatshëm për tregun e punës. Veçanërisht tani që është në proces hartimi i ligjit për arsimin dhe aftësimin profesional, me të cilin, ndër të tjera, duhet të rregullohet sistematikisht edhe arsimi dual për të cilin ka interesim gjithnjë e më të madh.

Në një deklaratë për media, Janevska falënderoi kompanitë që angazhohen, siç tha, "në procesin e arsimit që të krijojmë kuadro cilësore dhe kompetente që do të marrë pjesë edhe më tutje në ndërtimin e shtetit". 

 "Arsimi profesional është me rëndësi të jashtëzakonshme sepse dihet që kemi mungesë të fuqisë punëtore, kemi shjpërngulje të të rinjve tanë. Kjo është një mundësi për t'i përmirësuar kushtet që ata të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të kontribuojnë në vendin e tyre. Me kënaqësi do t'i dëgjoj të gjitha nevojat e kompanive në mënyrë që të përmirësojmë dhe zhvillojmë më tej arsimin profesional. Po ashtu, në atë drejtim aktualisht është në përfundim hartimi i ligjit për arsimin e mesëm profesional, në të cilin përfundimisht do të zgjidhim klasat sistemore dhe duale", theksoi ministrja

 Në këtë dhe vitin paraprak shkollor është rritur numri i nxënësve të regjistruar në shkollat ​​e mesme profesionale, që vjen edhe nga fushata e zhvilluar nga MASH-i në bashkëpunim me Odën Ekonomike, kompanitë dhe komunat për përcaktimin e kuotave në konkurs për regjistrim në shkollat ​​e mesme.

Sipas të dhënave të MASH-it, në vitin 2024/2025, nga rreth 17.000 të regjistruar në vitin e parë, 12.000, gjegjësisht dy të tretat kanë zgjedhur arsimin profesional. Nga ata 12.000, rreth katër mijë nxënës janë regjistruar në klasa duale në rreth 60 shkolla. 

Nxënësit e paraleleve duale kanë mundësi të marrin bursë nga Ministria - në Konkursin e sivjetshëm janë siguruar 1500 bursa në vlerë mujore prej 3.500 denarë për nëntë muaj të vitit. 

Foto: MIA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR