Trup qeveritar për kontroll të arsimit të lartë - do të mbyllen fakultetet që nuk do t’i shmangin mangësitë
- Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë është themeluar organi nën kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) i cili do të analizojë punën e të gjitha universiteteve shtetërore dhe private dhe fakulteteve në përbërje të tyre.
- Post By Fami Bajrami
- 15:55, 31 korrik, 2024
Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë është themeluar organi nën kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) i cili do të analizojë punën e të gjitha universiteteve shtetërore dhe private dhe fakulteteve në përbërje të tyre.
Siç bëri të ditur sot kryeministri Hristian Mickoski, nëse konstatohen mangësi, do t'u jepet një "afat i arsyeshëm" për t'i hequr ato, por nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë do të mbyllen, ose do t'u merret leja e punës.
"Do të kenë një afat të arsyeshëm për t'i shmangur mangësitë. Ata që nuk do t'i mënjanojnë, do të duhet të mbyllen. Do ta humbin lejen e punës, licencën dhe akreditimin", deklaroi sot Mickoski, duke theksuar se Qeveria planifikon reforma në arsimin e lartë dhe vendosjen e rendit në institucione.
Siç tha ai, i vjen turp që kolegët e tij nga vendet fqinje i janë ankuar për problemet që kanë me diplomat e marra “brenda natës” në vendin tonë dhe për këtë, tha ai, "nuk mund të lejojë që kjo edhe më tutje të ndodhë".
"Më vjen turp në dy vende ku isha edhe në Uashington edhe në Londër, ku pata rastin të bisedoja me kolegë nga vendet fqinje ku më thanë se te ju gjatë ditës mund të merret diplomë. Dhe na bëjnë problem në vendet tona. Kjo nuk mund të ndodhë më. Kjo nuk mund të ndodhë, aq më tepër që unë vij nga arsimi i lartë. Nuk mundet që diplomat të merren brenda natës. Kjo duhet të ndryshojë", theksoi Mickoski.
Foto: arkivi i MIA-s