• e shtunë, 23 nëntor 2024

Troshanovski dhe Kacarska për MIA-n: KE-ja shënon përparim, por jo në fushat kyçe për procesin e negociatave me BE-në

Troshanovski dhe Kacarska për MIA-n: KE-ja shënon përparim, por jo në fushat kyçe për procesin e negociatave me BE-në

Shkup, 9 nëntor 2023 (MIA) - Raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut vë në dukje progres në disa fusha si politika e jashtme, por ka mungesë të progresit në fushat që janë kyçe për procesin e negociatave - sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, vlerëson në analizën për MIA analistët politikë Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci Societas Civilis dhe Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane - EPI.

Troshanovski konsideron se është një raport real i BE-së, i cili realisht e pasqyron gjendjen me reformat në vend.

„Situata me proceset reformuese në vend është shprehur në mënyrë objektive dhe do të thosha shumë më kritike krahasuar me raportin e vitit të kaluar, i cili kishte më shumë fraza diplomatike në vetvete. Kuptohet se prioriteti kryesor janë ndryshimet kushtetuese dhe vetë Raporti i referohet si një hap i domosdoshëm për vazhdimin e procesit të anëtarësimit, pra negociatave. Gjëja më e rëndësishme është se nuk ka progres në atë që është më e rëndësishme për shoqërinë tonë, pra reformat në sundimin e ligjit. Fillimisht këtu bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, ndryshimet në Kodin Penal që ishin problematike dhe me të cilat u amnistuan shumë çështje, pastaj u theksuan problemet me gjyqësorin dhe mosfunksionimi i Këshillit Gjyqësor”, thotë Troshanovski.

Ajo që është gjithashtu e rëndësishme dhe është në anën pozitive, shton ai, është mbështetja për objektivin tonë për respektimin 100 për qind me politikën e përbashkët dhe të jashtme të sigurisë së vendit. Troshanovski thekson edhe vërejtjet në Raportin e Brukselit për përdorimin e flamurit evropian gjatë marrjes së vendimeve ligjore.

“Raporti thekson se abuzimi me flamurin evropian dhe moszbatimi i Rregullores së Punës në Kuvend, për të cilat është rënë dakord dhe diskutuar që nga viti 2020, dëmton rëndë funksionin e Kuvendit dhe aftësinë e tij për të mbikëqyrur dhe mbi të gjitha, miratimin efektiv të ligjeve që do të përfshijnë dhe debat më të gjerë publik. Dhe në atë drejtim dekurajohet përdorimi i flamurit evropian për të nxitur zgjidhje ligjore për të cilat nuk ka konsultim publik dhe kjo është diçka e rëndësishme që duhet të theksojmë”, nënvizon Troshanovski.

Sipas Simonida Kacarska nga Instituti i Politikave Evropiane - EPI, elementët kryesorë të paketës së zgjerimit të këtij viti janë rekomandimet e kushtëzuara për fillimin e negociatave me Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, statusi i kushtëzuar kandidat për Gjeorgjinë, si dhe Planin për rritjen të publikuar nga Komisioni. Në raportin e këtij viti për Maqedoninë e Veriut, thotë ajo, Komisioni konstaton përparim të mirë në kapitujt e statistikave, lëvizjes së lirë të kapitalit dhe politikës së jashtme të përbashkët të BE-së. Por ajo thekson më tej, nuk kemi parë një ndryshim të pikëve për gatishmërinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit.

“Ajo që duhet të na shqetësojë veçanërisht janë notat në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit si fusha kyçe nga të cilat varet ecuria e përgjithshme e negociatave si pjesë e klasterit Bazat (fundamentals). Në kontekstin e gjyqësorit, gjatë tre viteve të fundit shohim një dobësim të vazhdueshëm të progresit”, thekson Kacarska.

Duke pasur parasysh fokusin e Planit të Rritjes në Ballkanin Perëndimor, është veçanërisht shqetësuese mungesa e progresit në klasterin e tregut të brendshëm, vlerëson ajo.

Progresi në kapitujt që ndikojnë drejtpërdrejt në marrjen e përfitimeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është vendimtar, nëse duam të arrijmë një integrim të ngushtë me Tregun Unik, për të cilin BE-ja tashmë ofron masa në Planin e Rritjes për rajonin, thotë Kacarska për MIA-n.

KE-ja prezantoi dje Raportet vjetore për progresin e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, Strategjinë e Zgjerimit dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kryetarja e KE-së, Ursula fon der Lajen, në konferencën për shtyp në Bruksel tha se zgjerimi mbetet një angazhim jetik dhe prioritet kryesor i BE-së, duke e vlerësuar atë si një sfidë historike për Unionin.

Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varheji, në fjalimin e tij para anëtarëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në lidhje me dosjen tonë të BE-së, theksoi se autoritetet në vend vazhduan të demonstrojnë dhe deklarojnë publikisht përkushtimin e tyre për përparim në rrugën evropiane dhe, ai vuri në dukje se tani që ka nisur procesi i negociatave të anëtarësimit, vendi duhet të përshpejtojë ritmin e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ai tha se Kuvendi dhe Qeveria janë të përkushtuar që me prioritet të fillojnë dhe zbatojnë ndryshimet kushtetuese përkatëse.

"Shpresojmë që të gjitha palët ta mbështesin që vendi të ecë përpara", tha Varheji, duke shtuar se zbatimi i ndryshimeve kushtetuese është një vendim dhe vendosmëri sovrane e vendit, që do të forconte edhe më shumë të drejtat themelore.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Dejvid Gir, sipas traditës, dje zyrtarisht ua dorëzoi Raportin presidentit Stevo Pendarovski, kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe zëvendëskryeministrit për çështje evropiane Bojan Mariçiq. Ambasadori evropian Gir dhe zëvendëskryeministrja Mariçiq do të mbajnë sot një konferencë të përbashkët për shtyp me rastin e publikimit të Raportit të KE-së për vendin.

Violeta Gerov

Foto: Arkivi I MIA-s/EPA

QËNDRONI TË LIDHUR