• e premte, 27 dhjetor 2024

Trivan për MIA-n: Digjitalizimi, me të gjitha përparësitë e tij, e bën shoqërinë më të rrezikuar

Trivan për MIA-n: Digjitalizimi, me të gjitha përparësitë e tij, e bën shoqërinë më të rrezikuar

Shkup, 5 mars 2023 (MIA) - Digjitalizimi, me të gjitha përparësitë e tij, sigurisht që e bën shoqërinë shumë më të rrezikuar. Vërehen shembuj të ndryshëm si në nivel global ashtu edhe në atë evropian, por edhe në Ballkan, sulme hakerash, si dhe bllokada të plota. Pikërisht me digjitalizimin, transparencën dhe të gjitha ato qasje, subjektet e caktuara që duan të rrezikojnë sigurinë mund ta bëjnë shumë lehtë, deklaroi në intervistën për MIA-n, kryetari i Asociacionit për Siguri Korporative në Serbi, Dragan Trivan.

Sipas tij, në rrugën e dixhitalizimit dhe mbrojtjes së asaj hapësire duhet gjetur një masë, që të mos nxitohet dhe të bëhet një vlerësim real se cilat të dhëna duhet të digjitalizohen për momentin.

Në intervistë, Trivan thekson se teknologjia e informacionit dhe e komunikimit përparon kaq shpejt, kjo është arsyeja pse ekspertët e sigurisë shpesh nuk mund të vazhdojnë dhe të garojnë me lajmet.

Cili është mendimi juaj për dixhitalizimin? Për këto procese po punohet vazhdimisht, por mbrojtja disi neglizhohet. Është për shkak të injorancës apo rrjedhat po ndryshojnë vazhdimisht?

Fatkeqësisht, ne kemi avantazhe dhe disavantazhe që jetojmë në shekullin e 21-të, një shekull i teknologjive të informacionit dhe komunikimit, dhe nga njëra anë, njerëzit që janë në menaxhimin e kompanive, njerëzit që merren me teknologjitë e TI-së po mbrojnë dixhitalizimin, dhe kjo duket si një avantazh, si diçka e mirë për disa gjëra për t'u thjeshtuar, për të shkurtuar rrjedhën e informacionit, për ta përshpejtuar atë. Nga ana tjetër, shtypet më pak, kursehet letër, e me këtë mbrohet mjedisi jetësor. Por, ne si menaxherë të sigurisë dhe si ekspertë në fushën e sigurisë, mendojmë gjithmonë për rreziqet, analizojmë, vlerësojmë, menaxhojmë rreziqet dhe e shohim gjithashtu digjitalizimin si rrezik të madh sepse të dhënat tuaja, qofshin ato të dhëna shtetërore apo të dhëna të disa kompanive , e deri te të dhënat personale, i jepni në ndonjë eter, në ndonjë “kllaud”, në internet. Arrijmë në pikën që ato të dhëna mund të keqpërdoren dhe në fund të fundit nuk e dimë se kush ka qasje në ato të dhëna, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm me digjitalizimin. Është e vërtetë që është trend në Bashkimin Evropian, por ne si shtete të vogla duhet megjithatë të shohim, të vlerësojmë se cilat nga ato të dhëna duhet me të vërtetë të digjitalizohen.

Megjithatë, disa gjëra janë të pashmangshme. Për të dhënë një shembull, në Serbi ne kemi nënshkrim elektronik dhe kur nënshkruani një kontratë me një nënshkrim elektronik, kjo ndodh në internet në disa "kllaude" dhe në përgjithësi nuk e dini se kush ka njohuri për atë kontratë. Tani po ashtu kemi edhe fatura elektronike, ku çdo faturë bëhet e dukshme dhe sigurisht që ka mundësi abuzimi nëse dikush merr të dhënat bazë të biznesit tuaj - me kë bashkëpunoni, cilat janë çmimet tuaja, të dhënat që ndoshta konkurrenca juaj do të donte t'i dinte. Më parë, kjo edhe nuk ka qenë transparente, nuk ka qenë e centralizuar.

Sektori bankar, si dhe sektorët tjerë privatë, duket se po e modernizojnë vazhdimisht mbrojtjen, por institucionet shtetërore po digjitalizohen dhe po punohet më pak për këtë mbrojtje, kështu që ekziston rreziku i sulmeve të hakerëve, shkarkimit të të dhënave etj. Sipas jush, ku konsideroni se është balanca për të zbatuar gjithnjë e më shumë digjitalizimin, por për të punuar intensivisht edhe në mbrojtjen?

Digjitalizimi me të gjitha avantazhet e tij sigurisht që e bën shoqërinë shumë më të rrezikuar dhe ju keni parë në shembuj të ndryshëm si në nivel global ashtu edhe në Evropë dhe në hapësirat tona sulme hakerash dhe bllokada të plota, dhe me këtë bota bëhet jashtëzakonisht e rrezikuar. Pikërisht me atë digjitalizim të tij, transparencën dhe të gjitha ato qasje ku disa subjekte që duan të prishin sigurinë mund ta bëjnë shumë lehtë këtë.

Konsideroj se diku duhet gjetur një masë, për të mos u nxituar. Edhe pse e gjitha tingëllon moderne, duket sikur është një rrugë krejtësisht e natyrshme, sepse jetojmë në shekullin e 21-të, epokën e teknologjisë informatike dhe të komunikimit. E gjithë bota është një fshat global, të gjithë jemi dëshmitarë të globalizimit, më të madh se kurrë, por pavarësisht nga të gjitha këto, ne duhet të kujdesemi pikërisht për sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave dhe që dikush të mos i keqpërdor ato të dhëna.

Në periudhën e kaluar në vendin tonë ka pasur lajmërime për bomba përmes mjeteve elektronike. Në shkolla, qendra tregtare, e madje edhe në aeroport. Nuk janë gjetur ende sulmuesit dhe ky është një kërcënim i përditshëm dhe prish funksionimin normal. A ka zhvilluar Serbia mekanizma mbrojtës në këtë drejtim?

Bëhet fjalë për gjëra të reja. Teknologjia informatike dhe e komunikimit po përparon aq shpejt sa ne si ekspertë të sigurisë nuk mund t'i ndjekim të gjitha ato tendenca dhe nuk ka praktikë të mjaftueshme për të qenë në gjendje të konfirmojmë me siguri se jemi të sigurt. Kjo është çështja më e rëndësishme. Është e mrekullueshme të kemi përparim, të shpejtojmë disa procese, por çështja thelbësore është nëse jemi të sigurt në të gjitha këto dhe çfarë do të ndodhë nëse për shembull ka një ndërprerje të energjisë elektrike, çfarë do të ndodhë atëherë, e të mos flasim për sulmet kibernetike.

Edhe Serbia edhe Maqedonia e Veriut po ndjekin digjitalizimin. Çfarë keni ndërmarrë në thelb si shtet për të ngritur nivelin e sigurisë në hapësirën kibernetike?

Ne kemi ndërmarrë një hap kur bëhet fjalë për infrastrukturën kritike, kur bëhet fjalë për objektet kryesore më të rëndësishme ekonomike. Ne miratuam ligj për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ky ligj është miratuar, por jemi në proces të miratimit të akteve nënligjore, kështu që ai ende nuk është në zbatim dhe do të përpiqemi në atë mënyrë, të paktën të përpiqemi të mbrojmë burimet tona kyçe në brendësi të shtetit, e sa u përket disa gjërave të tjera, po them se ende nuk kemi praktikë dhe mekanizma mjaft të zhvilluar për të ndjekur të gjitha ato trende të teknologjisë së avancuar.

Si ekspert në sigurinë korporative, çfarë mendoni se duhet t'i kushtojnë vëmendje shumica e kompanive në atë fushë?

Siguria korporative ka shumë funksione të veta. Dhe gjithsesi teoricienët dhe praktikantët merren me tema të ndryshme, me faktin se kur shikojmë në thelb, ne në Ballkan ende hasim disa nga gjërat më elementare si pengimi dhe parandalimi i grabitjeve, disa shpërdorime, disa delilkte më elementare të pasurisë në brendësi të kompanive dhe funksionimit. Këto janë disa nga gjërat statistikore që menaxherët e sigurisë i hasin më shpesh. Gjithsesi, ekziston edhe mbrojtja e markës, mbrojtja e të dhënave dhe të gjitha ato gjëra që mund të vendosen në sigurinë korporative. Por, e them, pavarësisht se disa tendenca të reja janë tërheqëse për ne, që marrim informacione për atë që është aktuale në SHBA apo vendet e BE-së, në thelb ne në Ballkan ende hasim probleme me disiplinën e punës, me probleme me deliktet pronësore, me disa shpërdorime në kompani, keqpërdorime, veprime të punonjësve, me ato disa gjëra themelore që kanë të bëjnë me funksionimin normal të kompanisë.

Simona Mitrovska

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR