• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Tri vepra të Institutit u promovuan në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Tri vepra të Institutit u promovuan në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Tiranë, 25 prill 2024 (MIA)- Në kuadër të panairit akademik të radhës të organizuar nga qendrat akademike shqiptare që sivjet po organizohet në Tiranë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë sot u promovuan tri vepra të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve “Historia e trevave lindore” (Ipeshkvia Shkup-Prizren nga Gaspër Gjini dhe “Zhvillimet kulturore dhe historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shek. XIX-XX” e përgatitur nga grup autorësh) dhe “Dialektologjia shqiptare – Të folmet shqipe të Maqedonisë së Veriut IV”, po ashtu nga grup autorësh.

Në fillim të pranishmit i përshëndeti drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore, Dr. Skender Asani i cili tha: “Këto dy vepra janë uverturë në shkrimin e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë, e cila në të ardhmen do të jetë edhe pjesë e teksteve shkollore të shkollës shqipe në këtë shtet.”. Me këtë rast ai e paralajmëroi edhe projektin e ri të shkrimit të historisë së shtetformësisë së shqiptarëve të Maqedonisë.

Në emër të Akademisë së Shkencave foli kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skender Gjinushi i cili duke e përgëzuar Institutin për punën që po e bën, uroi që sa më shpejt ky institucion të kalojë në akademi të shkencave për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, gjithë kjo në frymë të zhvillimit të shkencës dhe integrimit ndër shqiptar dhe evropian.

Për veprën dyvëllimëshe “Historia e trevave lindore” folën dy nga autorët e kësaj vepre, historianët Dr. Sevdail Demiri dhe Dr. Besnik Rameti të cilët e vunë në pah rëndësinë e kësaj vepre në kuadër të shkrimit të historisë së shqiptarëve të Maqedonisë.

Për vëllimin e katërt të serisë “Dialektologjia shqiptare – Të folmet shqipe të Maqedonisë së Veriut” foli hulumtuesi i Institutit, gjuhëtari Dr. Zeqirija Ibrahimi, i cili u ndal në rëndësinë e madhe që ka ky vëllim për përmbylljen e serisë së studimeve të të folmeve shqipe në Maqedoninë e Veriut me të cilat, siç tha ai, “vizatohet harta e kufijve gjuhësorë të shqipes”.

Promovimin e moderoi hulumtuesi i Institutit, Dr. Sefer Tahiri.

QËNDRONI TË LIDHUR