• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Trençevska: Vendi ynë u njoh si vend - lider që bëri shumë për barazinë gjinore

Trençevska: Vendi ynë u njoh si vend - lider që bëri shumë për barazinë gjinore

Shkup, 7 korrik 2023 (MIA) - Lëvizjet anti-gjinore, propozim-ligji i ri për barazi gjinore dhe thelbi i vërtetë i kësaj zgjidhjeje ligjore, duke sqaruar dilemat rreth termave gjini dhe identitet gjinor, ishin në fokus të vizitës së Ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

"E gjithë ajo që u transmetua në opinion ishte e pavërtetë, manipulim dhe injorancë, por në asnjë mënyrë nuk ishte thelbi i proceseve të dy ligjeve, veçanërisht për barazinë gjinore. Pritej që kjo lëvizje ani-gjinore të vinte tek ne, tha Trençevska në emisionin “Studio 10” në Televizionin 24", kumtoi MPSP-ja.

Duke iu referuar lëvizjeve anti-gjinore, ajo theksoi se Serbia ka arritur t'i kapërcejë problemet, por Çekia dhe Polonia kanë miratuar ligje të dëmshme që regresojnë pozitën e gruas.

"Vendi ynë, dhe jo vetëm brenda rajonit, u njoh si një vend lider, i cili ka bërë shumë për barazinë gjinore, për barazinë midis burrave dhe grave dhe kundër diskriminimit. Ne jemi të parët që miratuam Ligjin për barazinë e grave dhe burrave në rajon. Për barazinë flitet që nga viti 1946, kur në kohën e Jugosllavisë grave iu dha e drejta e votës për herë të parë. Për barazinë gjinore filluam të flasim në vitin 1995 pas konferencës së parë në Pekin, gjegjësisht konferencës së katërt të grave në Pekin, kur presidenti i atëhershëm Gligorov u zotua se shteti do të drejtohet për të krijuar mekanizma për barazi gjinore. Mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë janë një mjet. Ajo barazi është vendosur për ne dhe duhet të vazhdojmë të përmirësojmë pozitën e grave dhe burrave", tha Trençevska.

Lidhur me propozim-ligjin për Barazi Gjinore, ministrja tha se një reagim i tillë në opinion nuk ishte i pritshëm, duke qenë se paraprakisht janë mbajtur 18 seanca publike dhe se në këtë zgjidhje ligjore punohet që nga viti 2019. Njëkohësisht e theksoi edhe seancën publike të mbajtur për deputetet femra nga të gjitha partitë, nga e cila nuk doli asnjë vërejtje thelbësore, të gjitha i dhanë mbështetje të plotë dhe të parezervë ligjit dhe më pas disa prej tyre dolën në një protestë të organizuar nga KOM.

Ajo iu referua serisë së ngjarjeve me titull “Lëre një gjurmë”, të cilat organizohen së bashku me Institutin për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euro-Atlantike dhe Këshillin e Evropës, ndërsa në fokus janë të rinjtë.

"Këto janë ngjarje pozitive, përfshin muzikën, pikturën, teatrin dhe ndarjen e historive personale nga gratë dhe burrat që kanë pasur sukses në jetë. Secili prej nesh ka një histori të ndryshme, rrugën tonë, por në fund kemi të njëjtin synim, si të realizojmë ëndrrat tona. Qëllimi është t'u afrohemi të rinjve, të tregohen mundësitë që ofron shoqëria. Po flasim për aktivizim të tregut të punës, shëndetit mendor, të dëgjojmë zërin e të rinjve, të drejtohemi me shembuj pozitivë, tha Trençevska", kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR