• e enjte, 26 dhjetor 2024

Trençevska: Rritja e pagave në sektorin publik për 10 për qind nuk do të vlejë për funksionarët

Trençevska: Rritja e pagave në sektorin publik për 10 për qind nuk do të vlejë për funksionarët

Shkup, 21 korrik 2023 (MIA) - Rritja e pagave në administratën publike për 10 për qind nga shtatori i këtij viti nuk do të vlejë për funksionarët të cilëve më parë me vendim të Gjykatës Kushtetuese u ishte rritur paga për 78 për qind, konfirmoi sonte ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska. 

"Funskionarët nuk janë punëtorë në sektorin publik dhe për ta nuk do të vlejë rritja e pagave që është paraparë me marrëveshjen të cilën e arritëm me LSM-në", tha Trençevska në një emison në TV Kanal 5, ku ishte mysafire. 

Ajo theksoi se rritja e pagave të funksionarëve nuk është me vendim të Qeverisë, por me vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila nuk komentohet dhe vetëm zbatohet. 

"Si Qeveri kërkojmë mënyrën që të ulen pagat e funksionarëve, por nuk mundemi atë ta zbatojmë vetëm me vendimin tonë, por është i nevojshëm edhe vendimi i Kuvendit. Përveç kësaj, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 78 për qind janë rritur edhe pagat e kryetarëve të komunave", tha Trençevska. 

Vlerësoi se rritja e pagave për 10 për qind nga shtatori për administratën publike është më e madhja deri më tani të paktën nga viti 2003 prej kur edhe ajo është në administratën publike. 

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov theksoi se rritja prej 10 për qind ndoshta nuk është e mjaftueshme, por është bazë e mirë për mëtutje. 

"Tani administrata publike do të ketë parashikim dhe do ta dijë se në të ardhmen do të rriten pagat e tyre", tha Trendafillov. 

Ministrja theksoi se me rritjen e pagave do të kërkohet edhe rritje e produktivitetit të administratës publike, për çka Trendafilov u përgjigj se nuk ka punëtorë të këqij dhe joproduktiv, por vetëm punëtorë me pagë të ulët.

"Nëse e rrisim pagën, do të kërkojmë edhe riorganizim të vendeve të punës në administratën publike, që nuk do të thotë humbje të vendeve të punës, por zhvendosje aty ku duhet dhe ku do të jenë më produktivë", tha Trençevska.

Ajo theksoi se është kundër miratimit të pushimit pa pagesë që punëtorët në sektorin publik të shkojnë jashtë vendit për punë të përkohshme e cila paguhet më mirë. 

"Është e drejtë e tyre, por nuk mund të fitohet vetëm me kërkesë dhe pa dokumentacion mbështetës për atë që u nevojitet. Një punëtori nuk mund të mos i lejohet pushim pa pagesë për kujdesin e ndonjë të sëmuri apo diçka e ngjashme", theksoi Trençevska.

Për këtë Trendafillov tha se asnjë punëtor nuk duhet të vuajë nëse shfrytëzon pushim pa pagesë. fc/

Fotografia: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR