• e enjte, 26 dhjetor 2024

Trençevska: Qendra ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Likovë konfirmon suksesin e reformës sociale

Trençevska: Qendra ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Likovë konfirmon suksesin e reformës sociale
Kumanovë, 3 tetor 2022 (MIA) - Qendra ditore e specializuar që ofron kushte për fëmijët me aftësi të kufizuara në fshatin Orizare të Likovës po funksionon me sukses, tha sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, e cila  me kryetarin e komunës së Likovës, Erkan Arifi vizitoi Qendrën. Sipas kompetentëve, ecuria e fëmijëve me aftësi të kufizuara është e jashtëzakonshme dhe është rezultat i mbështetjes profesionale dhe rehabilitimit që marrin fëmijët dhe familjet e tyre. Pas përafërsisht një viti nga marrja e licencës për kryerjen e veprimtarive në fushën e mbrojtjes sociale, në qendrën moderne ditore qëndrojnë 14 fëmijë, ndërsa qendra ka kapacitet të pranojë 38 fëmijë me aftësi të kufizuara nga Likova. Vendosja e këtij shërbimi social dhe funksionimi i kësaj qendre ditore janë pjesë e projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të zbatuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me mbështetjen e Bankës Botërore.
"Jam shumë e lumtur që shoh se kjo qendër po funksionon me sukses dhe që kemi vërtet përparim të pabesueshëm te fëmijët që qëndrojnë këtu. Përgëzoj të gjithë stafin që me punën e tyre të përkushtuar dhe profesionale sigurojnë që këta fëmijë me aftësi të kufizuara që jetojnë në vendbanime të vogla të kenë mundësi të barabarta për t'u integruar në jetën arsimore dhe sociale. Ajo përkon me angazhimet e Qeverisë dhe Ministrisë, si dhe me qëllimet bazë të reformës sociale", deklaroi  ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska.
Likova ishte një nga komunat që në partneritet me shoqatën "Imago Plus" aplikuan në thirrjen e parë publike dhe morën mjete nga Projekti për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, i cili mundësoi themelimin dhe zhvillimin e shërbimit të kujdesit për fëmijët me aftësi të kufizuara që jetojnë në territorin e kësaj komune. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR