• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Trençevska: Nuk e di prej ku 14 për qind, po bisedohet për sistem për rroga

Trençevska: Nuk e di prej ku 14 për qind, po bisedohet për sistem për rroga

Shkup, 4 korrik 2023 (MIA) - Ministrja e Punës dhe Politkës Sociale, Jovanka Trençevska, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve sot tha se në negociatat për rritje të rrogave në sektorin publik deri më tani nuk është biseduar për 14 për qind, siç thanë dje përfaqësuesit e sindikatave pas mbledhjes së Këshillit socio-ekonomik.

"Unë nuk e di prej nga 14 për qind kur deri më tani nuk është biseduar për 14 për qind. Po bisedohet për sistem për rroga i cili do t'u përgjigjet të gjithëve, të mos harrojmë se rrogat e një pjese të nëpunësve shtetërorë u rritën më mars për 2.175 denarë, kjo varësisht, tek dikush është 7-8 për qind, tek disa madje edhe 16 për qind. Tani për momentin po bisedohet në suaza të Këshillit socio-ekonomik të gjendet zgjidhje sistematike. Po punohet të gjejmë sistem i cili do të jetë në rregull edhe për sindikatat edhe për punëdhënësit, përkatësisht edhe për Qeverinë edhe për të gjithë", u përgjigj Trençevska në pyetjen e gazetarëve, pas nënshkrimit të Programit për punë dinjitoze.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, i cili mori pjesë në ngjarje, përsëriti se "inflacioni i cili vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare është 14.2 për qind, duhet të jetë parametër bazë sipas të cilit do të përllogariten rrogat e të punësuarve në sektorin publik.

Nëse kemi parasysh se gjithçka është rritur për 14.2 për qind, rrogat tuaja automatikisht janë ulur për 14.2 për qind dhe në atë mënyrë ta eliminojmë momentin e humbjes së fuqisë blerëse dhe përkatësisht punëtorët të mund ta mbijtojnë muajin", tha Trendafillov.

Ai theksoi se nëse funksionarët nesër heqin dorë nga rrogat e tyre të rritura për 78 për qind secili i punësuar në sektorin publik do të merrte nga 1.500 në neto në llogarinë e vet, nëse ato para transferohen në rroga të të punësuarve në sektorin publik.

Trençevska dhe Trendafillov u përgjigjën edhe në pyetje të gazetarëve rreth kohëzgjatjes së javës së punës për punëtorët që do të angazhohen për projektin me "Behtel dhe Enka" për ndërtimin e autostradave, me ç'rast ministrja theksoi se askund nuk shkruan se punëtprët ndërtimorë do të punojnë 72 orë në vazhdimësi.

"Koha e punës është 40 orë, me tetë orë shtesë më së paku në javë. Për prioritete strategjike, lejohet, kur lejojnë kushtet e motit, të punohet mbi këto 48 orë. Por, në ligj nuk shkruan askund se ato janë 72 orë. Kjo varet nga kushtet e motit, nga procesi i punës. Prandaj duhet të jemi objektiv kur flasim për orarin e punës në korridoret 8 dhe 10d, se nuk janë 72 orë pune. Ndoshta është mbi 48 orët e lejuara, por nuk janë 72 orë", sqaroi ministrja, duke cekur se do të respektohen dispozitat ligjore.

Siguria dhe shëndeti i punëtorëve, tha, do të garantohen për të gjithë.

Trendafillov, ndërkaq, shprehi keqardhje që, siç tha, matematika e ministres është tjetër.

"Ajo që e flet ajo eviton vetëm të thotë 72 orë. Në të kundërtën, gjithçka tjetër e konfirmoi atë që e themi ne, se punëtorët e atyre korridoreve do të punojnë 12 orë, në ditë, 12 orë në ditë do të kenë pushim ditor dhe se në fund të javës do të kenë 24 orë pushim javor. Dhe ajo që ministrja harron ta thotë në atë pikëpamje, se e hoqën të drejtën e së dielës ditë pune. Kështu që lehtë mund të ndodhë të mos dalë inspektori shtetëror për kontroll në terren. Në atë mënyrë shtatë ditë të punojnë nga 12 orë", tha ai, duke përkujtuar se në periudhën e kaluar, kanë inicuar nismë në Gjykatën kushtetuese, mu rreth kësaj çështjeje dhe ka rënë dispozita në Ligjin themelor.

Deri në fund të javës apo në fillim të javës së ardhshme, shtoi, me mbështetjen e profesorëve që e morëm dhe nga organizatat ndërkombëtare të punës, do ta parashtrojmë edhe nismën e re për kontestim të këtyre dispozitave në kundërshtim me Kushtetutën, me konventat e organizatave ndërkombëtare të punës, me direktivat e EB-së. ab/

Foto: МIА 

QËNDRONI TË LIDHUR