• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Trençevska: Me pakon e re të masave antikrizë do të mbulohen edhe pensionistët me pensionin më të ulët

Trençevska: Me pakon e re të masave antikrizë do të mbulohen edhe pensionistët me pensionin më të ulët

Shkup, 17 nëntor 2023 (MIA) - Javën e ardhshme ose më së voni deri në fund të këtij muaji qeveria do të miratojë një pako të masave antikrizë për disa grupe të synuara, përfshirë edhe për pensionistët që marrin pension më të ulët. Do të shohim nëse do të kemi nevojë për ndonjë ndryshim ligjor që të mund sa më shpejt të fillojmë me mbështetjen financiare për ata që do të përfshihen në këtë pako të re, kumtoi sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Në lidhje me kërkesat e pensionistëve për rritje lineare të pensioneve për 5.000 denarë dhe për rritje të pensionit minimal deri në 18.000 apo deri në 20.000 denarë, ajo u përgjigj se dihet qëndrimi i saj – këto janë kërkesa joreale që do të rrezikojnë stabilitetin e sistemit pensional.

"Qëndrimi im është i njohur për rritje lineare të pensioneve prej 5.000 denarë dhe për pension minimal prej 18.000 apo 20.000 denarë, sepse ka kërkesa të ndryshme nga pensionistët, por ato nuk vijnë nga të gjithë por nga pensionistët që kanë pensione të larta, dhe i shohim në protesta. Të gjithë ata që janë të përfshirë në bordin iniciativë janë pensionistë që kanë madje 50.000 apo 30.000 denarë pension, pjesa më e vogël janë ata me pensione më të ulëta, tha Trençevska duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të forumit për standardin studentor që po mbahet sot në Fakultetin Filozofik të UKIM.

Ministrja theksoi se rritje linearë prej 5.000 për të gjithë 336 mijë pensionistë do të thotë rreth 324 milionë euro në vit vetëm për këtë kërkesë të tyre.

 

"Mund ta imagjinoni se sa është implikimi fiskal për 20.000 apo 18.000 denarë për pension minimal. Këto janë kërkesa të cilat janë joreale duke pasur parasysh gjendjen e sistemit pensional. Ai është stabil, por me çdo ndërhyrje në sistemin pensional, brezat e ardhshëm që duhet të jenë pensionistë do t'i vendosim në një situatë që nuk do të mund të marrin pension dhe do të vëmë në pikëpyetje pagesën e pensioneve edhe për këta 336 mijë pensionistë. Duhet të shqetësohemi për stabilitetin e sistemit pensional. Kjo qeveri siguron pagesën në kohë të pensioneve dhe ato paguhen me datën 1 të çdo muaji. Me politika të tilla ne garantojmë siguri", theksoi Trençevska.

Me masat e paralajmëruara anti-krizë do të përfshihen edhe pensionistët të cilët, siç tha, financiarisht do t'i mbështesin gjatë dimrit dhe deri në rregullimin e ardhshëm të pensioneve, në mars 2024.

Përmendi se me metodologjinë e re ka zgjidhje sistematike për rritjen e vazhdueshme të pensioneve në periudhën e kaluar dhe se nga 9.000 denarë pensioni minimal tani arrin në 13.100 denarë.

"Nuk po them 13.100 janë mjaftueshëm për një pensionist për të kaluar muajin, por për këtë janë masat e ndryshme si mbështetje financiare që po krijon qeveria që së bashku, në baza solidariteti, të ndihmojmë të gjithë ata që janë në një lloj situate, përkatësisht nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të kaluar muajin, shtoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR