• e enjte, 26 dhjetor 2024

Tre aparate të reja për Klinikën e neurologjisë

Tre aparate të reja për Klinikën e neurologjisë

Shkup, 10 nëntor 2023 (MIA)- Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, mori pjesë sot në hapjen ceremoniale të ambulancave të rinovuara të Klinikës Universitare për Neurologji, ku u promovuan pajisje të reja bashkëkohore mjekësore, të cilat do të përmirësojnë trajtimin e pacientëve. Ministri i Shëndetësisë u shpreh i kënaqur që objekti shëndetësor publik ku ai ka punuar për shumë vite është duke u zhvilluar dhe modernizuar.

“Kam kënaqësinë e veçantë që jemi mbledhur këtu për të dëshmuar ndryshimet pozitive që po zbatohen në këtë klinikë, të cilat janë në interes të pacientëve. Sot pata rastin të vizitoj ambulancat e rinovuara dhe të sigurohem që ky objekt shëndetësor është duke përparuar dhe duke u modernizuar në mënyrë që të ngrihet standardi i shërbimeve që marrin pacientët”, tha Mexhiti.

Ministri Mexhiti, i cili është neurolog specialist, nga përvoja e tij tregoi se neurologjia kërkon përdorimin e mjeteve dhe pajisjeve më të mira, sepse përballet me kompleksitetin e trurit dhe sistemit nervor të njeriut dhe për këtë arsye ka rëndësi të madhe përmirësimi i vazhdueshëm i pajisjeve të përdorura në punë.

"Klinika e Neurologjisë do të mund të përmirësojë funksionimin e saj me ndihmën e elektroencefalogramit të ri të dhuruar nga kompania "Biotek", aparatit "SUDO SCAN" të dhuruar nga Shoqata për Polineuropatinë Familjare Amyloid, si dhe me aparatin e ri për elektroferezën e proteinave në lëngun cerebrospinal, i cili është donacion nga bastoret sportive “Mozart” me iniciativën e Shoqatës Kombëtare për Ndihmë dhe Mbështetjen e Personave me Sklerozë Multiple", informoi Mexhiti.

Gjatë vizitës, Mexhiti theksoi se është veçanërisht i kënaqur që në procesin e modernizimit të punës së Klinikës për Neurologji, institucione, sektori privat dhe shoqatat e pacientëve janë të përfshirë së bashku.

Ministri falënderoi të gjithë aktorët përgjegjës social për donacionet, duke theksuar se së bashku mund të ndërtojmë një sistem shëndetësor, që jo vetëm plotëson nevojat e të  sotshmes, por është i përgatitur edhe për sfidat që sjell e ardhmja.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të madhe për stafin shëndetësor që janë forca lëvizëse e kësaj strukture shëndetësore, duke theksuar se kushtet e reja të punës dhe pajisjet e reja bashkëkohore do të kontribuojnë për përparim edhe më të madh në punën e Klinikës së Neurologjisë, nga e cila, ato që do të ndjejnë përfitimin më të madh janë pacientët.

 Drejtori i klinikës, Visar Miftari, ka bërë të ditur se gjatë muajve të kaluar në këtë klinikë është bërë rinovimi i dhomave të konsultimeve specialistike – autoambulancave.

"Për momentin janë rinovuar tre hapësira të ambulantave, njëra prej të cilave është ambulantë për raste urgjente dhe prioritare - ambulantë urgjente, dy ambulantat e tjera janë të destinuara për ekzaminimin e pacientëve me terminë, përmes sistemit elektronik  "Termini im". Poashtu është rinovuar edhe Spitali i ditës ku trajtohen pacientët të ambulantave", tha doktor Miftari.

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR