Trampi për Iranin: Ndonjëherë është e nevojshme të përdoret forca ushtarake
- Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se është i pakënaqur me Iranin, sepse Teherani nuk është ende gati të heqë dorë nga armët e tij bërthamore. Ai potencoi se donte të arrinte një marrëveshje me Iranin dhe paralajmëroi se "ndonjëherë është e nevojshme" të përdoret forca ushtarake.
- Post By Ramize Qamili
- 22:01, 27 shkurt, 2026
Uashington, 27 shkurt 2026 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se është i pakënaqur me Iranin, sepse Teherani nuk është ende gati të heqë dorë nga armët e tij bërthamore. Ai potencoi se donte të arrinte një marrëveshje me Iranin dhe paralajmëroi se "ndonjëherë është e nevojshme" të përdoret forca ushtarake.
Ai para se të nisej për në Teksas theksoi se Irani nuk është ende gati të heqë dorë nga armët e tij bërthamore.
I pyetur për mundësinë e përdorimit të forcës, Trampi tha se SHBA-ja ka ushtrinë më të fuqishme në botë.
"Do të doja të mos e përdorja, por ndonjëherë është e nevojshme", tha Tramp.
Ai paralajmëroi se gjatë ditës do të ketë bisedime për Iranin, por nuk specifikoi se kush do të merrte pjesë.
Sekretari i shtetit amerikan, Marko Rubio, nesër ishte planifikuar të vizitonte Izraelin, por udhëtimi është shtyrë për të hënën.
Dje në Ambasadën e Omanit në Gjenevë u mbajtën diskutimet indirekte midis SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor të Teheranit. Shefi i diplomacisë së Omanit, Said Badr bin Hamad bin Hamud al Busaidi, deklaroi se është arritur përparim i rëndësishëm dhe paralajmëroi se së shpejti do të ketë një raund i ri negociatash, pas konsultimeve në Uashington dhe Teheran.
Ambasada e SHBA-së në Jerusalem u ka lejuar stafit dhe familjeve të tyre të vendosin vetë nëse duan të largohen nga Izraeli.
"Nuk ka nevojë për panik, por ata që duan të largohen duhet ta planifikojnë largimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur", deklaroi ambasadori amerikan, Majk Hakabi. rq/
Foto: EPA