Tramp përkohësisht do të ndërpresë ndihmën ushtarake për Ukrainën
- Presidenti amerikan Donald Tramp përkohësisht ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenskin, njoftuan mediat amerikane, duke cituar një përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë.
- Post By Fami Bajrami
- 07:32, 4 mars, 2025

Uashington, 4 mars 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp përkohësisht ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenskin, njoftuan mediat amerikane, duke cituar një përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë.
"Presidenti ka bërë të qartë se është i përqëndruar në paqe. Është e domosdoshme që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Po pezullojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t'u siguruar se ajo do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes", tha burimi. E njëjta deklaratë u citua nga të gjitha mediat e tjera, të cilat transmetuan informacionin, duke përfshirë agjencinë ukrainase Ukrinform, e cila i referohet Blumbergut.
Kabineti i Zelenskit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Foks njuz citoi një tjetër funksionar amerikan, i cili thoshte se kjo është pushim, e jo ndërprerje e përhershme e ndihmës.
Trampi dje përsëri tha se Zelenski duhet të jetë më mirënjohës për mbështetjen amerikane, pasi më herët reagoi me hidhërim ndaj një shkrimi në Asoshiejted Pres, ku Zelenski u citua të thoshte se fundi i luftës ishte "shumë, shumë larg".
"Kjo është deklarata më e keqe që mund të ketë dhënë Zelenski, e Amerika nuk do ta tolerojë atë për shumë kohë!", ka shkruar Tramp në rrjetin social Truth Social. rq/bsh/
Foto: EPA