Trajnim të Iniciativës rajonale kundër korrupsionit: Për mbrojtjen e mjedisit jetësor përveç ligjeve të mira, është i nevojshëm implementimi i tyre dhe vetëdija më e lartë publike
- Të gjithë shprehen se duan mjedis të pastër jetësor, por realiteti është ndryshe, porositi sot ambasadori austriak Martin Pamer në fjalën hyrëse të "Trajnimit për përfaqësuesit e Sektorit të Mbrojtjes së Natyrës/Biodiversitetit në fushën e Vlerësimit të Rrezikut të Korrupsionit (VRK)", të organizuar nga Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI). Ambasadori duke theksuar se tema e udhëkryqit midis mjedisit jetësor dhe korrupsionit është shumë i rëndësishëm, theksoi se ai shpesh takohet me njerëz që punojnë në fushën e luftës kundër korrupsionit, por në terren, siç tha ai, situata është ndryshe.
- Post By Fami Bajrami
- 13:19, 4 mars, 2026
Shkup, 4 mars 2026 (MIA) - Të gjithë shprehen se duan mjedis të pastër jetësor, por realiteti është ndryshe, porositi sot ambasadori austriak Martin Pamer në fjalën hyrëse të "Trajnimit për përfaqësuesit e Sektorit të Mbrojtjes së Natyrës/Biodiversitetit në fushën e Vlerësimit të Rrezikut të Korrupsionit (VRK)", të organizuar nga Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI). Ambasadori duke theksuar se tema e udhëkryqit midis mjedisit jetësor dhe korrupsionit është shumë i rëndësishëm, theksoi se ai shpesh takohet me njerëz që punojnë në fushën e luftës kundër korrupsionit, por në terren, siç tha ai, situata është ndryshe.
Kjo, shtoi Pameri, është rezultat i korrupsionit, keqmenaxhimit dhe punësimeve partiake, të cilat, siç theksoi ai, për fat të keq janë shprehi e shpeshtë.
Ambasadori austriak propozoi të mendohet rreth idesë së vendosjes së një lloj organi, në nivel lokal ose qendror, në të cilin do të mund të denoncoheshin, për shembull, deponitë e egra dhe të bëhej edukimi i qytetarëve në raport me mjedisin jetësor, në mënyrë që të ndikohej në ndryshimin e mentalitetit të përgjithshëm.
Ai theksoi se mbrojtja e mjedisit jetësor është çështje shumë-shtresore nga legjislacioni i mirë, administrimi, implementimi deri në ngritjen e vetëdijes dhe shtoi se Agjencia Austriake e Zhvillimit e mbështet fuqimisht këtë çështje. Ai theksoi se në kontekst rajonal kjo nuk është vetëm në interes të Austrisë, sepse, siç tha ai, stabiliteti, siguria, përparimi dhe prosperiteti në Evropën Juglindore është qëllim strategjik, e në këtë kontekst është edhe integrimi në Bashkimin Evropian.
Duke përshëndetur ministrin e Mjedisit Jetësor Muhamed Hoxha, i cili për arsye të justifikuara nuk ishte i pranishëm në ngjarje, Pamer theksoi se një shtet mund të ketë ligjet më të mira, por para së gjithash është i nevojshëm implementimi.
“Ju mund të keni rregullat, ligjet dhe qëllimet më të mira, mund të paralajmëroni çdo gjë, por më të rëndësishmet janë veprat, si i zbatojmë ligjet, si kujdesemi për mjedisin tonë jetësor çdo ditë dhe kjo duhet të bazohet në sigurinë, llogaridhënien, përgjegjësinë dhe seriozitetin, të cilat janë të domosdoshme për një të ardhme më të mirë të shtetit, por edhe më gjerë”, tha ambasadori austriak.
Ai theksoi se të gjithë duhet të besojnë në Maqedoninë e Veriut dhe se e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian.
"Njerëzit shpesh janë shumë depresiv, thonë se asgjë nuk po ecën përpara, jemi të bllokuar, disa zyrtarë të lartë më thonë se BE dhe ju po na mbyllni dyert, kjo nuk është e vërtetë, dyert janë të hapura gjerësisht. Faktet thonë se legjislacioni maqedonas tashmë është harmonizuar me atë të BE-së për rreth 40 për qind, ndërsa 90 për qind e tregtisë dhe marrëdhënieve të biznesit janë me BE-në dhe anëtaret e saj, dhe të gjitha ato bisedime për partnerë strategjikë që janë larg ose diku tjetër janë më pak të turbullta, sepse ne jemi Evropa dhe duhet të mendojmë se si të bëjmë përparim së bashku", tha Pameri.
Drejtori i RAI Albert Hani para të pranishmëve përkujtoi se ky institucion është mision diplomatik ndërqeveritar që u krijua 25 vjet më parë në kuadër të Paktit të Stabilitetit për EJL me detyrën dhe mandatin për t'u kujdesur në luftën kundër korrupsionit dhe
për të ndihmuar vendet e EJL të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të eliminuar korrupsionin dhe për të krijuar vlera të reja dhe kulturë të re të integritetit që do të luftojë fuqishëm korrupsionin.
"Kur flasim për integritet, dua të përmend se ai lidhet drejtpërdrejt me besimin në institucionet. Vlerësimi ynë është se disa sektorë janë më të ndjeshëm dhe meritojnë më shumë vëmendje në drejtim të ndërtimit të besimit në institucione, tha ai, duke shtuar se ky mosbesim i qytetarëve është më i madh sidomos ndaj institucioneve që kanë të drejta më të mëdha diskrecioni dhe që ende nuk janë të lira nga ndikimet politike", tha Hani.
Ai theksoi se korrupsioni jeton në ekosistemet e përfitimeve, diskrecionit dhe ndikimit, ku kufijtë midis detyrave dhe interesave nuk janë të qarta. Ai theksoi se qëllimi i këtij trajnimi është krijimi i sistemeve që do të lajmërojnë me kohë për ekzistencën e mundësisë së korrupsionit.
"Mjedisi jetësor është një nga sektorët më të rëndësishëm, sektorët më të ndjeshëm dhe më të pasur në Evropën Juglindore, sektor që është më i ekspozuar ndaj korrupsionit, sektor që në të njëjtën kohë vepron me paqartësi të mëdha lidhur me rregullativën ligjore, në raport me detyrat dhe detyrimet e të punësuarve", tha Hani duke shtuar se ky sektor duhet të forcohet.
Ai theksoi se sipas të dhënave të Euroxhast, krimi ekologjik është një nga më fitimprurësit dhe më pak të proceduar në Evropë.
Nikolla Prokopenko, Këshilltar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, theksoi se koha mnbajtjes së këtyre ngjarjeve është reale, pasi ka edhe një prodhim të shtuar të instrumenteve ligjore në këtë fushë në nivel ndërkombëtar.
Ai përmendi këtu Direktivën e BE-së të vitit 2024 për mbrojtjen e mjedisit jetësor përmes së drejtës penale dhe instrumentin më të fundit ligjor ndërkombëtar, Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e mjedisit jetësor përmes së drejtës penale.
Përkujtoi se ai ka marrë pjesë në mënyrë aktive si përfaqësues i vendit në përpilimin e Konventës së KE-së dhe shprehu besimin se si shtet do të jemi ndër të parët që do ta nënshkruajmë dhe ratifikojmë atë.
“Në këtë kontekst, shoh edhe organizimin e kësaj ngjarjeje, nga këto dy instrumente ligjore do të lindë nevoja e harmonizimit të legjislacionit tonë me standardet më të fundit ndërkombëtare, të përfshira në to, dhe është shumë më e rëndësishme që e gjithë kjo do të duhet të zbatohet në praktikë”, theksoi Prokopenko.
Ky trajnim dyditor organizohet në kuadër të projektit rajonal "Evropa Juglindore së bashku kundër korrupsionit 2", i cili zbatohet në partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC), ndërsa financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), respektivisht partneriteti ndërkombëtar i Austrisë. Dita e parë e trajnimit do t'i kushtohet vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit, ndërsa dita e dytë do të jetë e rezervuar për vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në legjislacion.
Më parë RAI organizoi trajnimin për përfaqësuesit e policisë dhe MPB-së në fushën e vlerësimit të rrezikut të korrupsionit dhe verifikimit të legjislacionit për parandalimin e korrupsionit.
Foto: printskrin